A A A A A
Bible Book List

Jeremia 33Albanian Bible (ALB)

33 Fjala e Zotit iu drejtua për të dytën hërë Jeremias, ndërsa qëndronte akoma i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti që bën këtë, Zoti që e formon për ta vendosur, emri i të cilit është Zoti:

M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.

Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për shtëpitë e mbretërve të Judës që do të shemben përballë ledheve dhe shpatës.

Ata do të vijnë të luftojnë kundër Kaldeasve, por vetëm për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që unë do të godas në zemërimin tim dhe në tërbimin tim, sepse do ta fsheh fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë ligësisë së tyre.

Ja, unë do t’i sjell atij mirëqenie dhe shërim; do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.

Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t’i vendos përsëri si më parë.

Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.

Dhe ky qytet do të ketë për mua një titull gëzimi, lëvdimi dhe lavdie përpara gjithë kombeve të dheut, kur ato të mësojnë gjithë të mirën që unë u bëj atyre; dhe do të kenë frikë e do të dridhen për shkak të gjithë mirësisë dhe të gjithë paqes që unë do t’i sjell atij".

10 Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Éshtë një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë," në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma

11 britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë," dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t’i vendos përsëri si më parë," thotë Zoti.

12 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në këtë vend që është një shkreti, ku s’ka më njeri a kafshë, dhe në të gjitha qytetet e tij do të këtë akoma banesa të barinjve ku do të pushojnë kopetë e tyre.

13 Në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, në vendin e Benianimit, në rrethinat e Jeruzalemit dhe në qytetet e Judës, dhentë do të kalojnë akoma nga dora e atij që i numëron," thotë Zoti.

14 "Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15 Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16 Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

17 Në fakt kështu thotë Zoti: "Nuk do t’i mungojë kurrë Davidit dikush që të ulet mbi fronin e shtëpisë së Izraelit,

18 dhe priftërinjve Levitë nuk do t’u mungojë kurrë para meje dikush që ofron olokauste, që tymos ofertat ushqimore dhe që kryen flijime çdo ditë".

19 Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

20 "Kështu thotë Zoti: Në qoftë se ju mund të anuloni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, në mënyrë që mos ketë më ditë a natë në kohën e tyre,

21 atëherë do të mund të anulohet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, në mënyrë që të mos ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, dhe me priftërinjtë Levitë, priftërinj të mi.

22 Ashtu si nuk mund të njehsohet ushtria e qiellit as të matet rëra e detit, ashtu unë do t’i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe Levitët që më shërbejnë".

23 Fjala e Zotit iu drejtua akoma Jeremias, duke thënë:

24 "Nuk i ke kushtuar kujdes asaj që ka pohuar ky popull, duke thënë: "Dy familjet që Zoti kishte zgjedhur, i ka hedhur poshtë"? Kështu përçmojnë popullin tim, që në sytë e tyre nuk është një komb".

25 Kështu thotë Zoti: "Në qoftë se unë nuk e kam lidhur besëlidhjen time me ditën dhe me natën dhe nuk kam përcaktuar ligjet e qiellit dhe të tokës,

26 atëherë do të hedh poshtë edhe pasardhësit e Jakobit, dhe të Davidit, shërbëtorit tim, dhe nuk do të marr më nga pasardhësit e tij drejtuesit e fisit të Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit. Por unë do të bëj që të kthehen mërgimtarët e tyre dhe do të kem mëshirë për ta".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes