A A A A A
Bible Book List

2 i Mbretërve 19Albanian Bible (ALB)

19 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këto gjëra, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnan, sekretarin, dhe pleqtë e priftërinjve, të mbuluar me thasë, te profeti Isaia, bir i Amotsit.

Ata i thanë: "Kështu thotë Ezekia: "Kjo është një ditë ankthi, ndëshkimesh dhe turpi, sepse bijtë janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë.

Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar tërë fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zotëria e tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta dënojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për atë që mbetet akoma"".

Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan tek Isaia.

Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t’i thoni zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: "Mos u tremb nga fjalët që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

Ja, unë do të dërgoj mbi të një frymë dhe sa të dëgjojë ndonjë lajm, do të kthehet në vendin e tij; dhe në vendin e tij unë do ta bëj që të bjerë nga shpata"".

Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.

Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thonin: "Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje". Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:

10 "Do t’i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: "Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.

11 Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?

12 A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".

14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.

15 Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: "O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejtë dhe tokën.

16 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!

17 Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,

18 kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.

19 Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia".

20 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t’i thotë Ezekias: "Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: "Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.

21 Kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër atij: Bija e virgjër e Sionit të përbuz dhe tallet me ty; bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.

22 Cilin ke fyer dhe poshtëruar? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe sytë me arogancë? Kundër të Shenjtit të Izraelit!

23 Me anë të lajmëtarëve të tu ke fyer Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia kam hipur në majë të maleve në skutat e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të larta dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij në strehimin e tij më të thellë, në pjesën më të harlisur të pyllit.

24 Unë kam gërmuar dhe kam pirë ujëra të huaja; me shputën e këmbëve të mia kam tharë tërë lumenjtë e Egjiptit".

25 A nuk ke dëgjuar, vallë, që prej një kohe të gjatë kam përgatitur këtë gjë dhe prej kohërave të lashta e kam hartuar planin? Dhe tani e solla punën që të ndodhë kjo: që ti t’i katandisësh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

26 Prandaj banorët e tyre të cilëve u mungonte forca, ishin tmerruar dhe e kishin humbur torruan; ishin si bari i fushave, si bari i blertë, si bari mbi çatitë, që digjet para se të rritet.

27 Por unë e di se si ulesh, si del dhe si hyn dhe bile tërbimin tënd kundër meje.

28 Me qenë se tërbimi yt kundër meje dhe arroganca jote kanë arritur në veshët e mi, do të të vë unazën time në fejzat e hundës, frerin tim te goja, dhe do të të kthej në rrugën nëpër të cilën ke ardhur".

29 Kjo ka për të qenë shenja për ty: Sivjet do të hani atë që rritet vetë, vitin e dytë atë që prodhon ai; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

30 Pjesa tjetër e bëmave e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë, ka për të vazhduar të lëshojë rrënjë poshtë dhe të prodhojë fryte lart.

31 Sepse nga Jeruzalemi ka për të dalë një pakicë dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë.

32 Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: "Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

33 Ai do të kthehet nëpër rrugën që ndoqi kur erdhi dhe nuk ka për të hyrë në këtë qytet, thotë Zoti.

34 Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim".

35 Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.

36 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis e u kthye në shtëpi, dhe mbeti në Ninivë.

37 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në shtëpinë e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adrameleku dhe Sharetseri e vranë me goditje të shpatës; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes