A A A A A
Bible Book List

2 i Kronikave 35Albanian Bible (ALB)

35 Josia kremtoi në Jeruzalem Pashkën për nder të Zotit; Pashka u kremtua ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë.

Ai i caktoi priftërinjtë në detyrat e tyre dhe i nxiti në shërbimin e shtëpisë të Zotit.

Pastaj u tha Levitëve që udhëzonin tërë Izraelin dhe që i ishin shenjtëruar Zotit: "Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin e ndërtuar nga Salomoni, bir i Davidit, mbret i Izraelit; ajo nuk do të jetë më barrë për shpatullat tuaja. Tani shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, dhe popullit të tij të Izraelit.

Vendosuni sipas shtëpive tuaja atërore, sipas klasave tuaja, në bazë të udhëzimeve të shkruara të Davidit, mbretit të Izraelit, dhe të Salomonit, birit të tij;

qëndroni në shenjtërore sipas ndarjeve të shtëpive atërore të vëllezërve tuaj, bij të popullit, dhe pjesa e shtëpisë atërore të Levitëve.

Flijoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në dispozicion të vëllezërve tuaj, duke ndjekur fjalën e Zotit të transmetuar me anë të Moisiut".

Pastaj Josia u dha njerëzve të popullit, gjithë atyre që ishin të pranishëm, bagëti të imta, qengja dhe keca, gjithsej tridhjetë mijë kokë, të tëra për Pashkët, si edhe tre mijë qe; kjo vinte nga pasuria e mbretit.

Edhe princat i bënë një dhuratë spontane popullit, priftërinjve dhe Levitëve. Hilkiahu, Zakaria dhe Jehieli, drejtues të shtëpisë së Perëndisë, u dhanë priftërinjve për flijimet e Pashkës dy mijë e gjashtëqind qengja dhe keca si edhe treqind qe.

Përveç kësaj Konaniahu, bashkë me vëllezërit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeijeli dhe Jozabadi, krerë të Levitëve, u dhanë Levitëve për flijimet e Pashkës pesë mijë qengja dhe keca si edhe pesëqind qe.

10 Sa u përgatit shërbimi, priftërinjtë zunë vendet e tyre, dhe Levitët sipas klasave të tyre, në bazë të urdhrit të dhënë nga mbreti.

11 Pastaj flijuan Pashkën; priftërinjtë e spërkatnin gjakun me duart e tyre, ndërsa Levitët ripnin kafshët.

12 Kështu vunë mënjanë olokaustet për t’ua shpërndarë bijve të popullit, sipas ndarjeve të shtëpive atërore, me qëllim që t’ia ofronin Zotit, siç është shkuar në librin e Moisiut. Vepruan njëlloj me qetë.

13 Pastaj poqën qengjat e Pashkës mbi zjarr sipas normave të përcaktuara; por ofertat e tjera të shenjtëruara i gatuan në tenxhere, në kazanë dhe në tiganë dhe ua shpërndanë menjëherë tërë bijve të popullit.

14 Pastaj përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, bijtë e Aaronit, ishin të zënë deri në mbrëmje për të ofruar olokaustet dhe pjesët me dhjamë; kështu Levitët përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, bij të Aaronit.

15 Këngëtarët, bij të Asafit, ishin në vendin e tyre, sipas urdhrit të Davidit, të Asafit, të Hemanit dhe të Jeduthunit, shikuesit të mbretit. Në çdo portë kishte derëtarë; këta nuk patën nevojë të largoheshin nga shërbimi i tyre, sepse Levitët, vëllezërit e tyre, kishin përgatitur racione për ata.

16 Kështu atë ditë tërë shërbimi i Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të ofruar olokauste mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josia.

17 Bijtë e Izraelit, që ishin të pranishëm, e kremtuan atëherë festën e Pashkës dhe festën e të ndormëve shtatë ditë me radhë.

18 Në Izrael nuk ishte kremtuar një Pashkë si ajo që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk kishte kremtuar ndonjëherë një Pashkë si ajo që u kremtua nga Josia, me pjesëmarrjen e priftërinjve, të Levitëve, të gjithë Judës dhe të Izraelit, të pranishëm bashkë me banorët e Jeruzalemit.

19 Kjo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josias.

20 Mbas gjithë këtyre gjërave, kur Josia e vuri në rregull tempullin, Neko, mbret i Egjiptit, doli në Karkemish mbi Eufrat për të luftuar; dhe Josia u ngrit kundër tij.

21 Por Neko i dërgoi lajmëtarë për t’i thënë: "Çfarë ka midis meje dhe teje, o mbret i Judës? Këtë herë unë nuk kam ardhur kundër teje, por kundër një shtëpie me të cilën ndodhem në luftë; Perëndia më ka urdhëruar të shpejtohem; mos e kundërshto, pra, Perëndinë që është me mua, që ai të mos të të shkatërrojë".

22 Por Josia nuk deshi të tërhiqet nga ai; por për të luftuar kundër tij u vesh me rroba të tjera që të mos njihej dhe nuk i dëgjoi fjalët e Nekos, që vinin nga goja e Perëndisë. Kështu doli të ndeshet në luginën e Megidos.

23 Por disa harkëtarë gjuajtën kundër mbretit Josia; atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Më largoni që këtej, sepse jam plagosur rëndë".

24 Shërbëtorët e tij e hoqën nga qerrja e tij, e vunë në një qerre të dytë që ai kishte dhe e çuan në Jeruzalem. Kështu ai vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të tij. Tërë Juda dhe Jeruzalemi mbajtën zi për Josian.

25 Jeremia kompozoi një vajtim për Josian; tërë këngëtarët dhe këngëtaret në vajtimet e tyre kanë folur për Josian deri në ditën e sotme; dhe këto janë bërë një zakon në Izrael; dhe ja, ata janë shkruar në Vajtimet.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Josias, veprat e tij të mira sipas asaj që është shkruar në ligjin e Zotit,

27 veprimet e tij, nga të parat deri në të fundit janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes