A A A A A
Bible Book List

1 i Samuelit 24Albanian Bible (ALB)

24 Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: "Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit".

Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra.

Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës).

Njerëzit e Davidit i thanë: "Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: "Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash"". Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit.

Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit.

Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit".

Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij.

Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul.

Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?".

10 Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit".

11 Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!

12 Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.

13 Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje.

14 Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht?

15 Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua".

16 Kur Davidi mbaroi së thëni këto fjalë Saulit, ky i tha: "Ky është zëri yt, biri im David?". Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë.

17 Pastaj i tha Davidit: "Ti je më i drejtë se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija.

18 Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave.

19 Kur, pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot.

20 Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua.

21 Prandaj betomu në emër të Zotit që nuk do t’i vrasësh pasardhësit e mi pas meje dhe nuk do ta fshish emrin tim nga shtëpia e atit tim".

22 Davidi iu betua Saulit. Pastaj Sauli shkoi në shtëpinë e tij, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij u ngjitën në fortesë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes