A A A A A
Bible Book List

1 e Korintasve 7Albanian Bible (ALB)

Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.

Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.

Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.

Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.

Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,

sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.

Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,

por në qoftë se s’kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.

10 Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,

11 dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.

12 Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.

13 Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,

14 sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.

15 Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.

16 Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?

17 Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.

18 A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.

19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.

20 Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.

21 A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.

22 Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.

23 Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.

24 Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

25 Por për sa u takon virgjëreshave, s’kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.

26 Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.

27 Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.

28 Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t’ju kursej juve.

29 Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;

30 dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;

31 dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.

32 Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t’i pëlqejë Zotit;

33 por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë gruas së tij.

34 Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë burrit.

35 Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t’ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t’i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.

36 Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.

37 Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë.

38 Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë.

39 Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.

40 Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes