Add parallel Print Page Options

65 Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim.

I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;

një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,

që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme,

që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.

"Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre

paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku," thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre".

Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: Mos e prishni, sepse në të ka një bekim,," kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.

Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.

10 Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë.

11 Por ju që braktisni Zotin, që harroni malin tim të shenjtë, që përgatitni një sofër për Gadin dhe mbushni kupën e verës së droguar për Menin,

12 ju caktoj shpatës; do të rrëzoheni të gjithë nga masakra, sepse kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen".

13 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur;

14 ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës.

15 Ju do ta lini emrin tuaj si mallkim të zgjedhurve të mi. Zoti, Zoti, do të bëjë që ti të vdesësh, por do t’u japë shërbëtorëve të tij një emër tjetër.

16 Kështu që ai që do të kërkojë për vete një bekim në vend, do ta bëjë për Perëndinë e së vërtetës, dhe ai që do të betohet në vend do të betohet për Perëndinë e së vërtetës, sepse fatkeqësitë e kaluara do të harrohen dhe do t’u fshihen syve të mi".

17 "Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje.

18 Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jeruzalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin.

19 Do të kënaqem me Jeruzalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme.

20 Nuk do të ketë më në të asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë, as plak që nuk plotëson ditët e tij; sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët, do të quhet i mallkuar.

21 Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin.

22 Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.

23 Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimarët e tyre bashkë me ata.

24 Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj.

25 Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë," thotë Zoti.

66 Kështu thotë Zoti: "Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?

Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.

Kush flijon një ka është si të vriste një njeri, kush flijon një qengj është si t’i thyente qafën një qeni, kush paraqet një blatim ushqimor është si të ofronte gjak derri, kush djeg temjan është si të bekonte një idhull. Ashtu si këta kanë zgjedhur rrugët e tyre dhe shpirti i tyre kënaqet në veprimet e tyre të neveritshme,

kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua.

Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: "Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund të shohim gëzimin tuaj". Por ata do të jenë të shushatur".

Një zë, një zhurmë del nga qyteti, një zë vjen nga tempulli; është zëri i Zotit që u jep hakun armiqve të tij.

Para se të provojë dhembjet e pjelljes, ajo ka pjellë; para se t’i vinin dhembjet, ajo lindi një mashkull.

Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj.

"Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?," thotë Zoti. Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?,," thotë Perëndia yt.

10 Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,

11 me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.

12 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t’i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t’ju mbajnë në ijët e tij dhe do t’ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.

13 Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.

14 Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t’u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.

15 Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri.

16 Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë.

17 "Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për të vajtur në kopshtet, prapa një idhulli që gjendet në mes, ata që hanë mish derri, gjëra të neveritshme dhe minj, do të konsumohen të gjithë," thotë Zoti.

18 Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time.

19 Unë do të vë në një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet,

20 dhe do t’i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushkë dhe mbi dromidarë te mali im i shenjtë i Jeruzalemit," thotë Zoti, "ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit.

21 Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si Levitë," tha Zoti.

22 "Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje," thotë Zoti, "kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.

23 Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunë para meje, thotë Zoti.

24 "Kur ata do të dalin, do të shikojnë kufomat e njerëzve që rebeluan kundër meje; sepse krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet, dhe do të neveriten nga çdo mish".

Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,

për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.

Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,

i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,

për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.

Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.

Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,

10 po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.

11 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.

12 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.

13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.

14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.

15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.