Add parallel Print Page Options

14 Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,

dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të.”

Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.

Sepse Gjoni i thoshte: “Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!.”

Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.

Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit

aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t’i jepte çfarëdo që t’i kërkonte.

Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: “Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.”

Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t’ia japin.

10 Kështu dërgoi dikë për t’i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;

11 dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s’ëmës.

12 Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.

13 Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.

14 Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.

15 Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime.”

16 Por Jezusi u tha atyre: “Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë.”

17 Dhe ata i thanë: “Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq.”

18 Dhe ai u tha: “M’i sillni këtu.”

19 Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.

20 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.

21 Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.

22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t’i lëshojë turmat.

23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.

24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.

25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: “Éshtë një fantazmë!.” Dhe filluan të bërtasin nga frika;

27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!.”

28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.”

29 Ai tha: “Eja!.” Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!.”

31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?.”

32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.

33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!.”

34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.

35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;

36 dhe iu lutën që të mund t’i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.

Pastaj doli prej andej dhe erdhi në vendlindjen e tij, dhe dishepujt e vet e ndiqnin.

Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: “Nga i vijnë këtij këto? Vallë ç’dituri është kjo që i është dhënë? Dhe si kryhen këto vepra të mëdha nëpërmjet dorës së tij?

A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?.” Dhe skandalizoheshin për shkak të tij.

Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.”

Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë vepër të pushtetshme, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart.

Dhe çuditej për mosbesimin e tyre; dhe dilte nëpër fshatra përreth e i mësonte.

Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra.

Dhe i urdhëroi të mos marrin asgjë tjetër udhës, përveç një shkop vetëm: as trasta, as bukë, as denar në brez;

dhe të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë tunika.

10 U tha akoma: “Kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend.

11 Në qoftë se disa nuk ju presin dhe nuk ju dëgjojnë, kur të largoheni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre. Në të vërtetë ju them se ditën e gjyqit Sodoma dhe Gomorra do të trajtohen me më shumë tolerancë se sa ai qytet.”

12 Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin;

13 dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.

14 Tani mbreti Herod dëgjoi të flitej për Jezusin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur, dhe ai tha: “Ky Gjoni që pagëzonte u ngjall së vdekuri; prandaj në të po veprojnë pushtete çudibërëse.”

15 Disa të tjerë thonin: “Éshtë Elia”; dhe disa të tjerë: “Éshtë një profet, ose si një nga profetët.”

16 Por kur i dëgjoi Herodi të gjitha këto, tha: “Ky Gjoni, të cilit ia pata prerë kokën, u ngjall së vdekuri!.”

17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua.

18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!”

19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte.

20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë.

21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë.

22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.”

23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.”

24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.”

25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.”

26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve.

27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit.

28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës.

29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.

30 Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.

31 Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.” Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë.

32 U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.

33 Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra.

35 Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.

36 Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.”

37 Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: “U jepni ju të hanë!” Ata i thanë: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?.”

38 Dhe ai u tha atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni.” Ata, mbasi shikuan, thanë: “Pesë bukë e dy peshq.”

39 Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.

40 Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41 Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.

42 Të gjithë hëngrën sa u ngopën.

43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.

44 Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.

45 Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën.

46 Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t’u lutur.

47 U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë.

48 Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t’i kalonte.

49 Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin,

50 sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: “Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!”

51 Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan,

52 sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.

53 Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenasaretit dhe aty e lidhën barkën.

54 Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë

55 dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej;

56 dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.

Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.

Dhe u tha atyre: “Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.

Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.

Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre.”

Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.

Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,

të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.

Por Herodi tha: “Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?.” Dhe kërkonte ta shihte.

10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.

11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.

12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë.”

13 Por ai u tha atyre: “U jepni ju të hanë.” Ata u përgjigjen: “Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz.”

14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: “I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë.”

15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.

16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës.

17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.

Read full chapter