Add parallel Print Page Options

10 Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.

Dhe u thoshte atyre: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.

Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.

Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.

Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".

Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.

Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t’ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.

Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t’ju vënë përpara.

Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

10 Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:

11 "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

12 Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

13 Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi.

14 Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju.

15 Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr.

16 Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar.”

17 Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.”

18 Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë.

20 Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.”

21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.

22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.”

25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”

27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”

28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”

29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”

30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".

36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”

37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”

38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.

40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”

41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;

42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”

11 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.”

Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.

Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.

Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu".”

Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,

sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara";

dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t’i jap"?

Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.

Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.

10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.

11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?

12 Ose, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?

13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”

14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”

16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.

18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.

19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.

21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.

22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".

25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,

26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para.”

27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.”

28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.”

29 Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: “Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

30 Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.

31 Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.

32 Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona.”

33 Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.

34 Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.

35 Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.

36 Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj.”

37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.

38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.

39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.

40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?

41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.

42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.

43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.

44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.”

45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.”

46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.

47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.

48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.

49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t’i përndjekin,"

50 me qëllim që këtij brezi t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:

51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.

52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.”

53 Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,

54 për t’i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.