Add parallel Print Page Options

"Në qoftë se dikush kryen një mëkat, pasi të jetë betuar botërisht se do të dëshmojë, kur ai është dëshmitar, sepse e ka parë faktin ose i është bërë i njohur, po të jetë se nuk e kallëzon, do të mbajë fajin.

Ose kur dikush prek diçka të papastër, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, si kërmën e një kafshe të papastër ose kërmën e një kafshe shtëpiake të papastër apo kërmën të një rrëshqanori të papastër, do të mbetet ai vetë i papastër dhe fajtor.

Ose kur prek një papastërti njerëzore, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, çfarëdo gjë me anë të të cilit njeriu bëhet i papastër kur e pranon, është fajtor.

Ose në se dikush në mënyrë të pandërgjegjshme, duke folur pa u menduar thellë me buzët e tij, betohet se do të bëjë një të mirë apo një të keqe, çfarëdo gjë që një njeri mund të thotë me mëndjelehtësi me një betim, kur e pranon gabimin, është fajtor për secilën nga këto gjëra.

Prandaj në se dikush është bërë fajtor në një nga këto gjëra, do të pranojë mëkatin që ka kryer;

do t’i çojë pra Zotit, si fli të fajit të tij për mëkatin që ka kryer, një femër të kopesë, një dele apo një dhi, si flijim për mëkatin; dhe prifti do të bëjë për të shlyerjen për shkak të mëkatit të tij.

Në qoftë se nuk ka mjetet për të siguruar një dele, do t’i çojë Zotit, si fli për mëkatin e kryer, dy turtuj ose dy pëllumba të rinj: njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust.

Do t’ia çojë priftit, i cili do të ofrojë së pari atë të mëkatit; do t’i këpusë kokën pranë qafës, por pa e ndarë plotësisht;

pastaj do të spërkasë pak gjak të flijimit për mëkatin mbi faqen e altarit, dhe mbetja e gjakut do të derdhet në bazën e altarit. Ky është një flijim për mëkatin.

10 Me zogun tjetër do të bëjë një olokaust, simbas normave të caktuara. Kështu prifti do të bëjë për atë person shlyerjen e mëkatit që ka kryer, dhe ai do t’i falet.

11 Por në rast se i mungojnë mjetet për të siguruar dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, atëherë kush ka mëkatuar do të sjellë si ofertë të dhjetën pjesë të një efe në majë mielli, si flijim për mëkatin; nuk do të vërë mbi të as vaj as temjan, sepse është një flijim për mëkatin.

12 Do ta çojë miellin te prifti dhe ky do të marrë një grusht prej tij si kujtim, dhe do ta tymosë mbi altarin sipër flijimeve të bëra me zjarr për Zotin. Éshtë një flijim për mëkatin.

13 Kështu prifti do të shlyejë për të mëkatin që ai ka kryer në një nga këto gjëra, dhe ai do t’i jetë falur. Mbetja do t’i takojë priftit, si në blatimin e ushqimit".

14 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

15 "Në qoftë se dikush kryen ndonjë shkelje dhe mëkaton nga padituria kundër gjërave të shenjta të Zotit, atëherë do t’i çojë Zotit ofertën e tij për shkeljen, një dash pa të meta të marrë nga kopeja, të cilin ti e çmon në sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, si ofertë për shkeljen.

16 Dhe do ta lajë dëmin e shkaktuar ndaj gjësë së shenjtë, duke shtuar një të pestën e vlerës, dhe do t’ia japë priftit; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen me dashin e ofertës për shkeljen, dhe shkelja do t’i falet.

17 Në qoftë se dikush mëkaton dhe, në mënyrë të pandërgjegjshme, kryen një diçka që Zoti ka ndaluar të bëhet, është gjithashtu fajtor dhe i detyruar të vuajë dënimin.

18 Ai do t’i sjellë priftit si ofertë për shkeljen, një dash pa të meta, të marrë nga kopeja, sipas vlerësimit tënd. Kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen për mëkatin e tij nga padituria, të cilin e ka kryer në mënyrë të pandërgjegjshme dhe ky do t’i jetë falur.

19 Kjo është një ofertë për shkeljen; ai është me siguri fajtor përpara Zotit".

Zoti i foli Moisiut, duke thënë:

"Në qoftë se dikush mëkaton dhe bën një shkelje kundër Zotit, duke u sjellë në mënyrë të gënjeshtërt me fqinjin e tij lidhur me një depozitë, ose me një peng apo për një vjedhje, ose ka mashtruar fqinjin e tij,

o sepse ka gjetur një gjë të humbur dhe ka gënjyer lidhur me të dhe është betuar në mënyrë të rreme, për çfarëdo gjë njeriu mund të mëkatojë në veprimet e tij,

atëherë, në qoftë se ka mëkatuar dhe është fajtor, ai duhet të rikthejë atë që ka vjedhur, apo gjënë e zhvatur me mashtrim, ose depozitën që i është besuar apo sendin e humbur që ka gjetur,

ose të gjitha ato për të cilat është betuar në mënyrë të rreme. Jo vetëm do t’i kthejë plotësisht, por do t’u shtojë një të pestën dhe do t’ia dorëzojë të zotit në po atë ditë të ofertës së tij për shkeljen.

Pastaj do t’i sjellë priftit ofertën e tij për shkeljen përpara Zotit: një dash pa të meta, të marrë nga kopeja sipas vlerësimit tënd, si ofertë për shkeljen.

Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të përpara Zotit, dhe do t’i falet çdo faj për të cilin është bërë fajtor".

Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

"Jepu këtë urdhër Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ky është ligji i olokaustit. Olokausti do të mbetet mbi mangallin sipër altarit tërë natën, deri në mëngjes; dhe zjarri i altarit do të mbahet i ndezur.

10 Prifti do të veshë tunikën e tij prej liri dhe do të veshë mbi trup pantallonat; dhe do të mbledhë hirin e olokaustit, që zjarri ka konsumuar mbi altar, dhe do ta vendosë pranë altarit.

11 Pastaj do të heqë rrobat e tij dhe do të veshë të tjera, dhe do ta çojë hirin jashtë kampit në një vend të pastër.

12 Zjarri mbi altar do të mbahet i ndezur dhe nuk do të lihet të shuhet; prifti do të djegë dru mbi të çdo mëngjes, do të vendosë sipër olokaustin dhe do të tymosë sipër dhjamin e flijimeve të falënderimit.

13 Zjarri duhet të digjet vazhdimisht mbi altarin dhe nuk duhet të shuhet.

14 Ky është ligji i blatimit të ushqimit. Bijtë e Aaronit do ta paraqesin përpara Zotit përballë altarit.

15 Njëri prej tyre do të marrë nga ai një grusht maje mielli me vajin e tij dhe me gjithë temjanin që ndodhet mbi blatimin e ushqimit dhe do ta tymosë mbi altar me erë të këndshme, si një kujtim për Zotin.

16 Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë atë që ka për të mbetur; do të hahet pa maja në vend të shenjtë; ata do ta hanë në oborrin e çadrës së mbledhjes.

17 Të mos piqet me maja; është pjesa që u dhashë atyre nga flijimet e mia të bëra me zjarr. Éshtë gjë shumë e shenjtë, ashtu si flijimi për mëkatin dhe si flijimi për shkeljen.

18 Çdo mashkull ndër bijtë e Aaronit do të mund të hajë. Éshtë një ligj i përjetshëm për gjithë brezat tuaj, që lidhet me flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kushdo që prek këto gjëra duhet të jetë i shenjtë.

19 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

20 "Kjo është oferta që Aaroni dhe bijtë e tij do t’i bëjnë Zotit ditën në të cilën janë vajuar: një e dhjeta e efës maje mielli, si blatim i zakonshëm i ushqimit, gjysmën në mëngjes dhe gjysmën në mbrëmje.

21 Ajo do të përgatitet me vaj mbi një skarë; do ta çosh të përzier mirë dhe do të ofrosh copat e pjekura të blatimit të ushqimit, si erë e këndshme për Zotin.

22 Prifti, njërit prej bijve të tij që është vajuar për t’i zënë vendin, do t’i bëjë këtë ofertë; sipas ligjit të përjetshëm, do të tymoset e tëra.

23 Çdo blatim i ushqimit të priftit do të tymoset i tëri; ai nuk do të hahet".

24 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

25 "Folu Aaronit dhe bijve të tij dhe u thuaj atyre: Ky është ligji i flijimit për mëkatin. Në vendin ku theret olokausti, të theret flia për mëkatin përpara Zotit. Éshtë gjë shumë e shenjtë.

26 Prifti që e ofron për mëkatin, do ta hajë; duhet të hahet në një vend të shenjtë, në oborrin e çadrës së mbledhjes.

27 Kushdo që prek mishin e saj bëhet i shenjtë; dhe në qoftë se pak nga gjaku i tij bie mbi një rrobe, ajo duhet të lahet në vend të shenjtë.

28 Por ena prej balte në të cilën është pjekur do të thyhet; dhe në rast se është pjekur në një enë prej bronzi, kjo do të fërkohet mirë dhe do të shpëlahet me ujë.

29 Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë prej tij; është gjë shumë e shenjtë.

30 Por nuk do të hahet asnjë fli për mëkatin, gjaku i së cilës është çuar në çadrën e mbledhjes për të shlyer mëkatin në shenjtërore. Ajo do të digjet me zjarr".

"Ky është ligji i ofertës për shkeljen, (është gjë shumë e shenjtë).

Në vendim ku theret olokausti, do të theret flia për shkeljen; dhe gjaku i saj do të spërkatet rreth e qark altarit.

Prej saj do të paraqitet tërë dhjami: do të hiqet bishti i majmë, dhjami që mbulon zorrët,

të dy veshkat, dhjami që është mbi to rreth ijeve dhe bula e dhjamur e mëlçisë së zezë mbi veshkat.

Pastaj prifti do t’i tymosë mbi altar, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin. Ky është një flijim për shkeljen.

Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë nga ajo; do të hahet në vend të shenjtë; është gjë shumë e shenjtë.

Flijimi për shkeljen është si flijimi i mëkatit; i njëjti ligj vlen për të dy rastet; flia me të cilën prifti bën shlyerjen i takon atij.

Dhe prifti, që ofron olokaustin e dikujt, do të marrë për vete lëkurën e olokaustit që ka ofruar.

Kështu çdo blatim i ushqimit i pjekur në furrë, apo i përgatitur në tigan ose mbi skarë, do të jetë i priftit që e ka ofruar.

10 Dhe çdo blatim i ushqimit i përzier me vaj ose i thatë i përket tërë bijve të Aaronit, si për njerin si për tjetrin.

11 Ky është ligji i flijimit të falënderimit, që do t’i çohet Zotit.

12 Në qoftë se dikush e ofron për dhënie hiri, do të ofrojë me flijimin e dhënies së hirit kulaç pa maja të përzier me vaj, revani pa maja të përzier me vaj dhe kulaç me majë mielli të përzier me vaj.

13 Bashkë me kulaçët e bukës pa maja, si ofertë të tij do të paraqesë, me flijimin e dhënies së hirit, flijimin e tij të falënderimit.

14 Nga çdo ofertë ai do të ofrojë një kulaç si një blatim të lartë për Zotin; ai do të jetë i priftit që ka spërkatur gjakun e flijimit të falënderimit.

15 Mishi i flijimit të dhënies së hirit i paraqitur si falënderim do të hahet po atë ditë gjatë së cilës ofrohet; nuk do të lihet asgjë prej tij deri në mëngjes.

16 Por në qoftë se flijimi që dikush ofron është një kushtim ose një ofertë spontane, do të hahet ditën në të cilën paraqitet flijimi; ajo që tepron duhet të hahet të nesërmen.

17 Por ajo që mbetet nga mishi i flijimit do të digjet me zjarr ditën e tretë.

18 Në qoftë se në ditën e tretë hahet nga mishi i flijimit të falënderimit, ai nuk do të pranohet dhe nuk do t’i llogaritet; do të jetë një veprim i neveritshëm; dhe ai që ha, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.

19 Mishi, që prek çfarëdo gjë të papastër nuk do të hahet; do të digjet me zjarr. Sa për mishin tjetër, kushdo që është i pastër do të mund të hajë nga ai.

20 Por personi, që duke qenë i papastër, ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, do të shfaroset nga populli i tij.

21 Përveç kësaj në se dikush prek çfarëdo gjë të papastër (një papastërti njerëzore, një kafshë të papastër ose çfarëdo gjë të neveritshme dhe të ndyrë) dhe ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, ai do të shfaroset nga populli i tij".

22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

23 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Nuk do të hani asnjë yndyrë të lopës apo të deles apo të dhisë.

24 Dhjami i një kafshe që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme dhe dhjami i një kafshe të shqyer mund të shërbejë për çdo përdorim tjetër, por nuk do të hani aspak;

25 sepse kushdo që në fakt ha dhjamin e një kafshe që ofrohet si flijim i bërë me zjarr për Zotin, ai që ha nga ky mish do të shfaroset nga populli i tij.

26 Përveç kësaj nuk do të hani asnjë gjak, as të zogjve, as të katërkëmbëshve, në asnjë nga banesat tuaja.

27 Kushdo që ha çfarëdo lloj gjaku, do të shfaroset nga populli i tij".

28 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

29 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kush i ofron Zotit flijimin e tij të falënderimit do t’ia çojë ofertën e tij Zotit, duke e hequr nga flijimi i tij i falënderimit.

30 Do t’i çojë me duart e tij ofertat e bëra me zjarr për Zotin; do të çojë dhjamin bashkë me gjoksin, për të tundur gjoksin si ofertë e tundur përpara Zotit.

31 Prifti do ta tymosë dhjamin mbi altar, ndërsa gjoksi do të jetë i Aaronit dhe i bijve të tij.

32 Do t’i jepni priftit gjithashtu, si një ofertë të lartë, kofshën e djathtë të flijimeve tuaja të falënderimit.

33 Ai nga bijtë e Aaronit që ofron gjakun dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit do të ketë, si pjesë të tij, kofshën e djathtë.

34 Sepse nga flitë e falënderimit të ofruara nga bijtë e Izraelit unë marr gjoksin e ofertës së tundur dhe kofshën e ofertës së lartë, dhe ua jap priftit Aaron dhe bijve të tij, si një detyrim i përjetshëm nga ana e bijve të Izraelit".

35 Kjo është pjesa e caktuar e Aaronit dhe bijve të tij nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, ditën që do të paraqiten për t’i shërbyer Zotit si priftërinj.

36 Këtë ka urdhëruar Zoti për bijtë e Izraelit t’u jepnin atyre ditën që i vajosi, si një ligj i përjetshëm brez pas brezi.

37 Ky është ligji i olokaustit, i blatimit të ushqimit, i flijimit për mëkatin, i flijimit për shkeljen, i shenjtërimit dhe i flijimit të falënderimit,

38 ligji që Zoti i dha Moisiut mbi malin Sinai, ditën që i urdhëroi bijtë e Izraelit t’i paraqisnin ofertat e tyre Zotit në shkretëtirën e Sinait.