Add parallel Print Page Options

Por bijtë e Izraelit kryen një shkelje rreth gjërave të caktuara për shfarosje, sepse Akani, djalë i Karmit, i Zabdiut, birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa sende të caktuara për shfarosje, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër bijve të Izraelit.

Ndërkaq Jozueu dërgoi njerëz nga Jeriko në Ai, që është afër Beth-Avenit, i cili ndodhet në lindje të Bethelit, dhe u tha atyre: "Ngjituni për të vëzhguar vendin". Kështu njerëzit u ngjitën për të vëzhguar Ain.

Pastaj u kthyen tek Jozueu dhe i thanë: "Nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli; por le të ngjiten dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ain; mos e lodh tërë popullin, sepse ata të Ait janë të paktë në numër".

Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve.

Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji.

Jozueu i grisi atëherë rrobat e tij dhe ra përmbys me fytyrë për tokë, përpara arkës së Zotit deri në mbrëmje, ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hodhën pluhur mbi kokën e tyre.

Pastaj Jozueu tha: "O Zot, o Zot, pse bëre që ky popull të kalojë Jordanin dhe të bjerë në duart e Amorejve për t’u vrarë? Ah, sikur të ishim kënaqur duke qëndruar këtej Jordanit!

O Zot, ç’mund të them pasi Izraeli i ktheu kurrizin armikut të tij?

Kananejtë dhe tërë banorët e vendit do ta marrin vesh, do të na rrethojnë dhe do të zhdukin emrin tonë nga faqja e dheut; çfarë do të bësh ti atëherë për emrin tënd të madh?".

10 Por Zoti i tha Jozueut: "Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë?

11 Izraeli ka mëkatuar; ata kanë shkelur besëlidhjen që u kisha porositur; kanë marrë madje gjëra të caktuara që të shfarosen, kanë vjedhur dhe kanë gënjyer; dhe pastaj i kanë vënë midis plaçkave të tyre.

12 Prandaj bijtë e Izraelit nuk mund t’iu bëjnë ballë armiqve të tyre, dhe kanë kthyer kurrizin para tyre, sepse janë bërë ata vetë të mallkuar. Unë nuk do të jem më me ju, në rast se nuk shkatërroni gjërat e caktuara që të shfarosen midis jush.

13 Çohu, shenjtëro popullin dhe i thuaj: "Shenjtërohuni për nesër, sepse kështu ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "O Izrael, në gjirin tënd ka gjëra të caktuara për t’u shkatërruar. Ti nuk do të mund t’u bësh ballë armiqve të tu, për deri sa nuk ke hequr gjërat e caktuara për shkatërrim midis jush.

14 Nesër në mëngjes, pra, do të paraqiteni, fis më fis, dhe fisi, që Zoti do të caktojë do të paraqitet, familje më familje, dhe familja që Zoti do të caktojë do të shkojë shtëpi më shtëpi, dhe shtëpia që Zoti do të caktojë ka për t’u paraqitur me të gjithë njerëzit e saj.

15 Dhe atij që do t’i gjenden gjëra të caktuara të shfarosen do t’i vihet flaka, atij vet dhe gjithçka që i përket, sepse ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka kryer një gjë të keqe në Izrael"".

16 Jozueu, pra, u ngrit herët në mëngjes dhe e renditi Izraelin simbas fiseve të tij; dhe u caktua fisi i Judës.

17 Pastaj afroi familjet e Judës, dhe u caktua familja e Zarhitëve. Pastaj afroi familjen e Zarhitëve, person mbas personi, dhe u caktua Zabdi.

18 Pastaj afroi shtëpinë e Zabdit, person për person, dhe u caktua Akani, bir i Karmit, i Zabdit, birit të Zerahut, nga fisi i Judës.

19 Atëherë Jozueu i tha Akanit: "Biri im, të lutem, mbushe me lavdi Zotin, Perëndinë e Izraelit, rrëfeji atij dhe më thuaj atë që ke bërë; mos ma fshih".

20 Akani iu përgjigj Jozueut dhe i tha: "Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç’kam bërë.

21 Kur pashë midis plaçkës një mantel të bukur të Shinarit, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari që peshon pesëdhjetë sikla, pata një dëshirë të madhe për to dhe i mora; dhe ja, i kam fshehur në tokë në mes të çadrës sime; dhe argjendi është poshtë".

22 Atëherë Jozueu dërgoi lajmëtarë që vrapuan në çadër; dhe ja, plaçka ishte fshehur në çadrën e tij, dhe argjendi ndodhej poshtë.

23 Ata e morën nga çadra, ia çuan Jozueut dhe tërë bijve të Izraelit, dhe e vendosën përpara Zotit.

24 Atëherë Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, mori Akanin, birin e Zerahut, argjendin, mantelin, shufrën prej ari, bijtë dhe bijat e tij, qetë e tij, gomarët e tij, delet e tij dhe të gjitha gjërat që i përkisnin, dhe i ngjiti në luginën e Akorit.

25 Dhe Jozueu tha: "Pse na vure në telashe? Zoti do të të vërë në telashe ty sot!". Dhe i tërë Izraeli e vrau me gurë; dhe mbasi e vranë me gurë, e dogjën në zjarr.

26 Pastaj ngritën mbi të një grumbull të madh gurësh, që ekziston edhe sot. Kështu Zoti u qetësua nga rrëmbimi i zemërimit të tij. Prandaj ky vend quhet edhe sot lugina e Akorit.

Pastaj Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë dhe mos u tmerro. Merr të gjithë luftëtarët e tu dhe nisu dhe sulmo Ain. Shiko, unë po të jap në dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij dhe vendin e tij.

Dhe do t’u bësh Ait dhe mbretit të tij ato që u ke bërë Jerikos dhe mbretit të tij; do të merrni për vete vetëm plaçkën dhe bagëtinë e tij. Zëri një pritë qytetit në pjesën e prapme të tij.

Kështu Jozueu dhe të gjithë luftëtarët e tij u ngritën më këmbë për të sulmuar Ain. Ai zgjodhi tridhjetë mijë njerëz, luftëtarë trima, dhe i nisi natën,

duke u dhënë këtë urdhër: "Ja, ju do të rrini në pritë kundër qytetit, duke qëndruar prapa tij; mos u largoni shumë nga qyteti, por rrini gjithnjë në gatishmëri.

Pastaj unë dhe tërë njerëzit që janë me mua do t’i afrohemi qytetit; dhe kur ata do të dalin kundër nesh si herën e parë, ne do të ikim para tyre.

Ata do të dalin për të na ndjekur deri sa t’i kemi tërhequr larg qytetit, sepse do të thonë: "Ikin me vrap para nesh si herën e parë". Dhe, ndërsa ne do të ikim me vrap para tyre,

ju do të dilni nga prita dhe do të pushtoni qytetin, sepse Zoti, Perëndia juaj, do ta japë në duart tuaja.

Me ta pushtuar qytetin, do t’i vini flakën; do të bëni atë që ka urdhëruar Zoti. Kini mendjen, ky është urdhri që ju jap".

Kështu Jozueu i nisi; ata shkuan në vendin e pritës dhe u ndalën midis Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të Ait; por Jozueu mbeti atë natë në mes të popullit.

10 Jozueu u ngrit herët në mëngjes, kaloi në paradë popullin dhe u ngjit bashkë me pleqtë e Izraelit në krye të popullit kundër Ait.

11 Tërë luftëtarët që ishin me të u ngjitën dhe u afruan; kështu arritën përballë qytetit dhe fushuan në veri të Ait. Midis tyre dhe Ait kishte një luginë.

12 Atëherë ai mori rreth pesëmijë njerëz dhe i vuri në pritë midis Bethelit dhe Ait, në perëndim të qytetit.

13 Pasi populli zuri pozicion, kampi qendror ishte në pritë në perëndim të qytetit, Jozueu atë natë përparoi në mes të luginës.

14 Kur mbreti i Ait pa këtë gjë, njerëzit e qytetit u ngritën herët me ngut në mëngjes dhe dolën për të luftuar kundër Izraelit: mbreti dhe tërë populli i tij, në pozicionin e caktuar përballë Arabahut; por mbreti nuk e dinte që i kishin zënë pritë në pjesën prapa qytetit.

15 Atëherë Jozueu dhe i tërë Izraeli, duke u shtirur sikur ishin mundur para tyre, ua mbathën këmbëve në drejtim të shkretëtirës.

16 I tërë populli që ndodhej në qytet u thirr të mblidhej për t’i ndjekur; kështu e ndoqën Jozueun dhe shkuan larg qytetit.

17 S’mbeti burrë në Ai dhe në Bethel pa dalë pas Izraelit. E lanë kështu qytetin të hapur dhe iu vunë pas Izraelit.

18 Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit.

19 Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t’i vënë flakën.

20 Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin.

21 Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait.

22 Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak.

23 Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu.

24 Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë deri sa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë.

25 Tërë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin dymbëdhjetë mijë veta, të gjithë banorë të Ait.

26 Jozueu nuk e uli dorën që mbante shtizën, deri sa i shfarosi të gjithë banorët e Ait.

27 Izraeli mori për vete vetëm bagëtinë dhe plaçkën e atij qyteti, simbas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Jozueut.

28 Kështu Jozueu i vuri flakën Ait dhe e katandisi në një grumbull gërmadhash për gjithnjë, një vend të shkretuar deri ditën e sotme.

29 Pastaj e vari mbretin e Ait në një dru dhe e la atje deri në mbrëmje; në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi që kufoma e tij të ulej nga druri, të hidhej në hyrje të portës së qytetit dhe mblodhën mbi të një numër të madh gurësh, që shihen edhe sot.

30 Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal,

31 ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë olokauste për Zotin dhe flijime falënderimi.

32 Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit.

33 I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit.

34 Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit.

35 Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.

Me të mësuar këto gjëra, tërë mbretërit që ndodheshin këtej Jordanit, në krahinën malore, në fushat dhe gjatë bregut të Detit të Madh në drejtim të Libanit, Hiteu, Amoreu, Kananeu, Perezeu, Hiveu dhe Jebuseu,

u mblodhën bashkë në besëlidhje midis tyre për të luftuar kundër Jozueut dhe Izraelit.

Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,

vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,

dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërmuar.

U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".

Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu Hivejve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".

Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: Kush jeni dhe nga vini??".

Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,

10 ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të Amorejve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.

11 Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".

12 Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar;

13 dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".

14 Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.

15 Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.

16 Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjes mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.

17 Atëherë bijtë e Izraelit u nisën dhe ditën e tretë arritën në qytetet e tyre; qytetet e tyre ishin Gabaoni, Kefirahu, Beerothi dhe Kiriath-Jearimi.

18 Por bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve.

19 Atëherë krerët i thanë tërë asamblesë: "Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t’i ngasim.

20 Këtë do t’u bëjmë atyre: do t’i lëmë të gjallë që të mos tërheqim zemërimin e Zotit, për shkak të betimit që u kemi bërë atyre".

21 Krerët u thanë atyre: "Le të jetojnë, pra, por do të punojnë si druvarë dhe do të bartin ujë për gjithë asamblenë, siç u kishin thënë krerët".

22 Pastaj Jozueu i thirri dhe foli me ta, duke thënë: "Pse na gënjyet duke thënë: "Ne banojmë shumë larg nga ju, kurse ju banoni në mes nesh?"

23 Prandaj tani jeni të mallkuar, dhe do të jeni gjithnjë skllevër, druvarë o bartës të ujit për shtëpinë e Perëndisë tim".

24 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut dhe thanë: "Shërbëtorëve të tu u qe thënë qartë që Perëndia yt, Zoti, kishte urdhëruar shërbëtorin e tij Moisiun t’ju jepte tërë vendin dhe të shfaroste para jush tërë banorët e tij. Prandaj ne na hyri një frikë e madhe për jetën tonë nga shkaku juaj, dhe kemi vepruar në këtë mënyrë.

25 Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë".

26 Jozueu i trajtoi, pra, në këtë mënyrë: i liroi nga duart e bijve të Izraelit, me qëllim që këta të mos i vrisnin;

27 por po atë ditë i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit, në vendin që ai do të zgjidhte deri në ditën e sotme.

21 Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.

22 Por, kur doli, nuk mundi t’u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.

23 Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.

24 Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:

25 “Ja ç’më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve.”

26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë.”

29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.

32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;

33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?.”

35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

37 sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”

38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj.

Read full chapter