Add parallel Print Page Options

27 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremias nga Zoti:

"Kështu më ka thënë Zoti: Bëj lidhje dhe krijo zgjedhë dhe vari mbi qafën tënde;

pastaj ia dërgo mbretit Edom, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tiros dhe mbretit të Sidonit, me anë të ambasadorëve të Sedekias, mbretit të Judës, të ardhur në Jeruzalem;

dhe jepu urdhër që t’u thonë kështu zotërive të tyre: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Kështu do t’u thoni zotërive tuaj:

Unë kam bërë tokën, njerëzit dhe kafshët që janë mbi faqen e dheut, me fuqinë time të madhe dhe me krahun tim të shtrirë, dhe ia jap atij që më duket i mirë në sytë e mi.

Dhe tani tërë këto vende ia kam dhënë në dorë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim; atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fshatrave që t’i shërbejnë.

Kështu tërë kombet do t’i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, deri sa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri.

Dhe do të ndodhë që kombi ose mbretëria që nuk do të dëshirojë t’i shërbejë atij, Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta dënoj,"" thotë Zoti, "me shpatën, me urinë dhe me murtajën, deri sa t’i kem shfarosur me dorë të tij.

Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!".

10 Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t’ju largojnë nga vendi juaj, që unë t’ju shpërndaj dhe ju të vdisni.

11 Por kombin që do ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t’i shërbejë atij, unë do ta lë në vendin e tij," thotë Zoti, "dhe ai do ta punojë dhe do të qëndrojë aty".

12 Unë i fola, pra, Sedekias, mbretit të Judës, në përputhje me tërë këto fjalë dhe i thashë: "Përkulni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, i shërbeni atij dhe popullit të tij dhe do të jetoni.

13 Pse ti dhe populli yt dëshironi të vdisni nga shpata, nga uria dhe nga murtaja, ashtu si ka folur Zoti kundër kombit që nuk dëshiron t’i shërbejë mbretit të Babilonisë?

14 Prandaj mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: "Nuk do t’i shërbeni mbretit të Babilonisë," sepse ju profetizojnë gënjeshtrën".

15 "Sepse unë nuk i kam dërguar," thotë Zoti, "por ata profetizojnë gënjeshtrën në emrin tim, me qëllim që unë t’ju shpërndaj dhe ju të vdisni, ju dhe profetët që ju profetizojnë".

16 U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnëë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia," sepse ju profetizojnë gënjeshtrën.

17 Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë?

18 Në rast se janë profetë dhe fjala e Zotit është me ta, le të ndërhyjnë tani pranë Zotit të ushtrive në mënyrë që orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem, të mos shkojnë në Babiloni".

19 Kështu thotë Zoti i ushtrive për shtyllat, detin, qerret dhe pjesën tjetër të orendive që kanë mbetur në këtë qytet,

20 të cilat Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk i mori, kur internoi Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, nga Jeruzalemi në Babiloni së bashku me tërë fisnikët e Judës dhe të Jeruzalemit;

21 po, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem:

22 "Do të çohen në Babiloni dhe aty do të mbeten, deri sa t’i kërkoj unë," thotë Zoti, "dhe do të bëj të dalin përsëri dhe të kthehen në këtë vend".

28 Po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, ndodhi që Hananiahu, bir i Azurit, profetit, që ishte nga Gabaoni, më foli në shtëpinë e Zotit, në prani të priftërinjve dhe të gjithë popullit, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë.

Brenda dy vjetëve unë do të bëj që të kthehen në këtë vend të gjitha orenditë e shtëpisë së Zotit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, mori nga ky vend dhe i çoi në Babiloni.

Do të kthej gjithashtu në këtë vend," thotë Zoti, "Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbret i Judës, me gjithë të internuarit e Judës që kanë shkuar në robëri në Babiloni, sepse do të thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë".

Atëherë profeti Jeremia iu përgjigj profetit Hananiah në prani të priftërinjve dhe në prani të të gjithë popullit që gjendej në shtëpinë e Zotit.

Profeti Jeremia tha: "Amen! Kështu le të bëjë Zoti! Zoti realizoftë atë që ke profetizuar, duke bërë që të kthehen nga Babilonia në këtë vend orenditë e shtëpisë së Zotit dhe të gjithë ata që janë çuar në robëri!

Megjithatë dëgjo tani këtë fjalë që do të të them para veshëve të tu dhe para veshëve të gjithë popullit.

Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën.

Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti".

10 Atëherë profeti Hananiah mori zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia dhe e copëtoi.

11 Pastaj Hananiahu foli në prani të të gjithë popullit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Në këtë mënyrë unë do të thyej zgjedhën ee Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, brenda dy vjetëve, nga qafa e të gjitha kombeve. Profeti Jeremia iku nëpër rrugën e tij.

12 Mbasi profeti Hananiah theu zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

13 "Shko dhe i thuaj Hananiahut: Kështu thotë Zoti: Ti ke thyer disa zgjedha prej druri, por në vendin e tyre ke krijuar zgjedha prej hekuri.

14 Kështu në fakt thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë vë një zgjedhë prej hekuri mbi qafën e tërë këtyre kombeve që t’i shërbejnë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ata do t’i shërbejnë. Atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fushës".

15 Pastaj profeti Jeremia i tha profetit Hananiah: "Dëgjo, Hananiah, Zoti nuk të ka dërguar, dhe ti e ke shtyrë këtë popull t’i besojë gënjeshtrës.

16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të të përzë nga faqja e dheut. Sivjet ke për të vdekur, sepse ke folur për rebelim kundër Zotit"".

17 Profeti Hananiah vdiq po atë vit, në muajin e shtatë.

29 Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremia i dërgoi nga Jeruzalemi pleqve që kishin mbetur në robëri, priftërinjve, profetëve dhe tërë popullit që Nebukadnetsari kishte çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni.

(Kjo ndodhi mbasi dolën nga Jeruzalemi mbreti Jekoniah, mbretëresha, eunukët, princat e Judës dhe të Jeruzalemit, zejtarët dhe kovaçët).

Letra u dërgua me anë të Elasahut, birit të Shafanit, dhe me anë të Gemariahut, birit të Hilkiahut, që Sedekia, mbret i Judës, kishte dërguar në Babiloni te Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë. Ajo thoshte:

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni:

Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre.

Merrni gra dhe bëni bij dhe bija, merrni gra për bijtë tuaj dhe martojini vajzat tuaja që të lindin bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni dhe të mos pakësoheni.

Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.

Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni.

Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar," thotë Zoti.

10 "Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t’ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend.

11 Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju," thotë Zoti, "mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.

12 Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t’ju kënaq.

13 Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.

14 Unë do të bëj që ju të më gjeni," thotë Zoti, "dhe do t’ju kthej nga robëria juaj; do t’ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë," thotë Zoti; "dhe do t’ju çoj përsëri në vendin prej të cilit ju çova në robëri.

15 Sepse thoni: "Zoti na ka ngjallur profetë në Babiloni,"

16 kështu thotë Zoti për mbretin që rri mbi fronin e Davidit, për këtë popullin që banon në këtë qytet, për vëllezërit tuaj që nuk kanë shkuar bashkë me ju në robëri";

17 po, kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, dhe do t’i bëj si fiq të neveritshëm që nuk mund të hahen sepse janë shumë të këqij.

18 Do t’i ndjek me shpatën, me urinë dhe me murtajën; do të bëj që të trajtohen keq në të gjitha mbretëritë e tokës dhe të jenë një mallkim, një objekt habie, një tallje dhe një turp midis kombeve ku i kam shpërndarë,

19 sepse nuk i kanë dëgjuar fjalët e mia," thotë Zoti, "që unë u dërgova atyre me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve, me urgjencë dhe këmbëngulje; por ju nuk më keni dëgjuar," thotë Zoti.

20 Dëgjoni, pra, fjalën e Zotit, o ju të gjithë, që unë dërgova në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni!

21 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për Ashabin, birin e Kolajahut, dhe për Sedekian, birin e Maasejahut, që ju profetizojnë gënjeshtra në emrin tim: Ja, unë do t’i lë në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ai do t’i vrasë para syve tuaj.

22 Prej tyre do të nxirret një formulë mallkimi që do të përdoret nga të gjithë ata që janë në robëri në Babiloni, dhe do të thuhet: "Zoti të trajtoftë si Sedekian dhe Ashabin, që mbreti i Babilonisë ka pjekur në zjarr!"

23 Sepse ata kanë kryer gjëra të turpshme në Izrael, kanë shkelur kurorën me gratë e të afërmve të tyre, kanë shqiptuar në emrin tim fjalë të rreme, që nuk u kisha urdhëruar atyre. Unë vetë e di dhe jam dëshmitar i tyre, thotë Zoti.

24 Do të flasësh gjithashtu me Shemajahun, Nehelamitin, duke thënë:

25 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ti ke dërguar në emrin tënd letra tërë popullit që është në Jeruzalem, priftit Sofonia, birit të Maasejahut, dhe të gjithë priftërinjve, duke thënë:

26 "Zoti të ka caktuar prift në vend të priftit Jehojada, me qëllim që të ketë kryeintendentë në shtëpinë e Zotit për të mbikqyrur çdo njeri të marrë që bën profetin, me qëllim që ti ta futësh në burg dhe ta mbash në pranga".

27 Dhe tani pse nuk e ke qortuar Jeremian nga Anathothi që bën profetin midis jush?

28 Në fakt ai na ka dërguar fjalë në Babiloni: "Robëria do të jetë e gjatë, ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre"".

29 Prifti Sofonia e lexoi këtë letër në prani të profetit Jeremia.

30 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

31 "Dërgo t’u thuash tërë atyre që janë në robëri: Kështu flet Zoti për Shemajahun, Nehelamitin: Duke qenë se Shemajahu ju ka profetizuar, megjithëse unë nuk e kam dërguar, dhe ka bërë të keni besim te gënjeshtra,

32 kështu thotë Zoti: Ja, unë do të dënoj Shemajahun, Nehelamitin, dhe pasardhësit e tij; nuk do të ketë asnjërin prej pasardhësve të tij që të banojë në mes të këtij populli, dhe nuk ka për të parë të mirën që unë do t’i bëj popullit tim, thotë Zoti, sepse ka folur për rebelim kundër Zotit".

U kujto atyre që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë,

të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.

Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin.

Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit,

ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,

të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë,

që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi.

Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.

Por ti shmangu nga diskutimet e ma-rra, nga gjenealogjitë, nga grindjet dhe debatet rreth ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota.

10 Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë,

11 duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten.

12 Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopoli, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty.

13 Përcilli me kujdes për udhëtim Zenën, juristin e ligjit, dhe Apolonin, që të mos u mungojë gjë.

14 Edhe le të mësojnë edhe tanët t’u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm.

15 Të gjithë ata që janë me mua të bejnë të fala. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.