Add parallel Print Page Options

34 Afrohuni, o kombe, për të dëgjuar; o popuj, kini kujdes. Le të dëgjojë toka dhe gjithçka që është në të, bota dhe gjithçka që ajo prodhon.

Sepse Zoti është zemëruar me të gjitha kombet, është indinjuar me të gjitha ushtritë e tyre; ai ka vendosur shkatërrimin e tyre, i braktis në masakër.

Të vrarët e tyre do të hidhen tutje, kufomat e tyre do të qelben dhe malet do të shkrihen me gjakun e tyre.

Tërë ushtria e qiellit do të zhduket, qiejtë do të mblidhen rrotull si një libër, por tërë ushtria e tyre do të bjerë, ashtu si bie gjethi nga hardhia, si bie një fryt i fishkur nga fiku.

Me qenë se shpata ime është dehur në qiell, ja ajo po gatitet të bjerë mbi Edomin, mbi popullin që kam vendosur të shfaroset, për të vënë në vend drejtësinë.

Shpata e Zotit është plot me gjak, është ngopur me dhjamë, me gjakun e qengjave dhe të cjepve, me dhjamin e veshkave të deshve; sepse Zoti bën një flijim në Botsrah dhe një kërdi të madhe në vendin e Edomit.

Bashkë me ta bien buaj, mëzetër tok me dema; toka e tyre është vaditur me gjak, pluhuri i tyre është ngopur me dhjamë.

Sepse është dita e hakmarrjes të Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit.

Përrenjtë do të kthehen në katran, pluhuri i vet në squfur, toka e vet do të bëhet rrëshirë e zjarrtë.

10 Nuk do të shuhet as ditën as natën, tymi i tij do të ngjitet përjetë; do të mbetet e shkretë brez pas brezi, askush nuk do të kalojë mbi të.

11 Zotër të tij do të bëhen pelikani dhe iriqi dhe do të banojnë aty kukuvajka dhe korbi. Zoti do të shtrijë mbi të litarin e dëshpërimit, plumbçen e boshllëkut.

12 Do t’i thërrasin fisnikët në mbretëri, por nuk do ketë asnjë prej tyre, dhe tërë princat janë katandisur në hiç.

13 Në pallatet e tij do të rriten gjemba, në fortesat e tij hithra dhe carangtha; do të bëhet banesë për çakejtë, një vend i rrethuar për strucat.

14 Kafshët e shkretëtirës do të takohen me kafshët që ulërijnë, cjeptë do të thërrasin njeri tjetrin; do të vendosen aty edhe kukuvajkat dhe do të gjejnë një vend pushimi.

15 Do të bëjë folenë e vet gjarpëri-shigjetë, do të lëshojë aty vezët, do t’i çelë dhe do t’i mbledhë në hijen e tij të vegjëlit e vet, aty do të mblidhen edhe hutat, secili me shokun e vet.

16 Kërkoni në librin e Zotit dhe lexoni: asnjë prej tyre nuk do të mungojë, askujt nuk do t’i mungojë shoku i vet, sepse e ka urdhëruar goja e tij dhe e ka mbledhur Fryma e tij.

17 Ai vetë e ka hedhur shortin për ta, dhe dora e tij e ka ndarë midis tyre me vijën e matjes; do ta zotërojnë për gjithnjë; do të banojnë aty brez pas brezi.

35 Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili;

do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.

Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!

U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: "Bëhuni të fortë, mos kini frikë!". Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.

Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;

atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.

Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.

Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet "rruga e shenjtë"; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.

Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit.

10 Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.

36 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia ndodhi që Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

Mbreti i Asirisë dërgoi Rabshakehun nga Lakishi në Jeruzalem, te mbreti Ezekia, me një ushtri të madhe; ai u ndal pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit.

Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek ai.

Rabshakehu u tha atyre: "I thoni Ezekias: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku mbështetet besimi që ke?

Unë them se këshillë dhe forcë për të bërë luftën nuk janë vetëm fjalë goje; tani që je rebeluar kundër meje te kush ke besim ti?

Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

Në rast se pastaj më thuaj: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë," a nuk është vallë po ai që Ezekia ka hequr nga vendet e larta dhe nga altarët, duke u thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm para këtij altari"?

Tani, pra, vër një bast me zotin tim, mbretin e Asirisë; unë do të të jap dy mijë kuaj, në qoftë se ti je në gjendje të sigurosh kalorësit që i hipin.

Si do të mundje të sprapsësh një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotit tim? Por ti ke besim se Egjipti do të të japë qerre dhe kalorës.

10 Dhe tani a kam ardhur vallë kundër këtij vendi pa vullnetin e Zotit për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje"".

11 Atëherë Eliakimi, Shebna dhe Joahu i thanë Rabshakehut: "Foli, pra, shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, sepse ne e kuptojmë, por mos na fol në gjuhën hebraike, në mënyrë që ta dëgjojë populli që është mbi muret".

12 Por Rabshakehu u përgjigj: "Zoti im, vallë, më ka dërguar t’i them këto fjalë zotit tënd dhe ty, dhe jo pikërisht njerëzve që ndodhen mbi muret, të katandisur të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?".

13 Atëherë Rabshakehu u ngrit më këmbë dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraike, duke thënë: "Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, të mbretit të Asirisë!

14 Kështu thotë mbreti: "Të mos ju mashtrojë Ezekia, sepse ai nuk mund t’ju çlirojë nga duart e mia;

15 as tij bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj te Zoti, duke thënë: "Me siguri Zoti do të na çlirojë; ky qytet nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë".

16 Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: bëni paqe me mua dhe dorëzohuni, dhe secili prej jush do të mund të hajë frytet e vreshtit të tij dhe të fikut të tij, dhe secili do të mund të pijë ujin e sternës së tij,

17 deri sa të vijë unë për t’ju çuar në një vend të ngjashëm me tuajin, në një vend gruri dhe mushti, në një vend buke dhe vreshtash.

18 Të mos ju mashtroj Ezekia duke thënë: "Zoti do të na çlirojë". A ka mundur ndonjë prej perëndive të kombeve të çlirojë vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?

19 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A e kanë çliruar vallë Samarinë nga duart e mia?

20 Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".

21 Por ata heshtën dhe nuk u përgjigjën me asnjë fjalë, sepse urdhëri i mbretit ishte: "Mos iu përgjigjni".

22 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, erdhën tek Ezekia me rroba të grisura dhe i njoftuan fjalët e Rabshakehut.

Sepse dua që të dini ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht,

që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarësisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,

ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.

Dhe po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse,

sepse, edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,

duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.

Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,

sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.

10 Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti,

11 në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit:

12 të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.

13 Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.

14 Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq;

15 dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të.

16 Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna;

17 këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit.

18 Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishore,

19 dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjeve dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.

20 Pra, në qoftë se vdiqët me Krishtin nga elementet e botës, përse u nënshtroheni disa rregullave, a thua se jetoni ende në botë, si:

21 “Mos prek, mos shijo, mos merr,”

22 të gjitha gjërat që prishen nga përdorimi, sipas urdhërimeve dhe mësimeve të njerëzve?

23 Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përunjësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit.