Add parallel Print Page Options

Mos u gëzo, o Izrael, për të ngazëlluar si popujt e tjerë, sepse je kurvëruar duke u larguar nga Perëndia yt; ke dashur pagesën e prostitutës në të gjithë lëmenjtë e grurit.

Lëmi dhe trokulli nuk do t’i ushqejnë dhe mushti do t’i lërë të zhgënjyer.

Ata nuk do të banojnë në vendin e Zotit, por Efraimi do të kthehet në Egjipt dhe në Asiri do të hanë ushqime të papastra.

Nuk do t’i bëjnë më libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do të pëlqehen prej tij. Do të jenë për ta si një ushqim zie; kushdo që do ta hajë do të ndotet, sepse buka e tyre do të vlejë për t’i mbajtur në jetë, nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

Çfarë do të bëni në ditët solemne dhe në ditët e kremtimit të Zotit?

Sepse ja, ndonëse i kanë shpëtuar shkatërrimit, Egjipti do t’i mbledhë bashkë, Mofi do t’i varrosë; gjërat e tyre të çmuara prej argjendi do t’i pushtojnë hithrat, dhe në çadrat e tyre do të rriten ferrat.

Kanë ardhur ditët e ndëshkimit, kanë ardhur ditët e shpagimit; Izraeli do ta mësojë. Profeti është një i pamend, njeriu i frymës flet përçart, për shkak të madhësisë së paudhësisë sate dhe të madhësisë së armiqësisë sate.

Roja e Efraimit është me Perëndinë tim, por profeti yt është një lak i gjuetarit të zogjve në të gjitha rrugët e tij; ka armiqësi në shtëpinë e Perëndisë së tij.

Ata u korruptuan thellë si në ditët e Gibeahut; por ai do ta mbajë mend paudhësinë e tyre, do të ndëshkojë mëkatet e tyre.

10 "Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri. Por, mbasi arritën në Baal-peor, u dhanë pas poshtërsisë dhe u bënë të neveritshëm si ajo që ata donin.

11 Lavdia e Efraimit do të fluturojë si zog; nuk do të ketë më lindje, as barrë, as mbarsje.

12 Edhe sikur të rritin bijtë e tyre, unë do t’i lë pa ata, deri sa të mos mbetet më asnjë njeri; po, mjerë ata kur të largohem prej tyre!

13 Efraimi, duke shikuar nga Tiro, është vendosur në një vend të këndshëm; por Efraimi duhet t’ia çojë bijtë e tij atij që do t’i vrasë".

14 Jepu atyre, o Zot… Çfarë do t’u japësh atyre? Jepu atyre një bark që dështon dhe gji të shterura.

15 Gjithë ligësia e tyre është në Gilgal; atje fillova t’i urrej. Për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre do t’i dëboj nga shtëpia ime, nuk do t’i dua më; tërë krerët e tyre janë rebelë.

16 Efraimi është goditur, rrënja e tij është tharë; ata nuk do të japin më fryt. Po, edhe sikur të kenë fëmijë, unë do të bëj që frytet e dashur të vdesin që në bark.

17 Perëndia im do t’i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Dhe ata do të shkojnë duke u endur midis kombeve.

10 Izraeli ishte një vresht i harlisur, që jepte fryt për veten e tij; sa më tepër rritej fryti i tij, aq më tepër i shumonte altarët e tij; sa më i pasur ishte vendi i tij, aq më të bukura i bënte shtyllat e tij të shenjta.

Zemra e tyre është gënjeshtare; tani do të marrin ndëshkimin për të. Ai do të rrëzojë altarët e tyre, do të shkatërrojë shtyllat e tyre të shenjta.

Po, tani do të thonë: "Nuk kemi më mbret, sepse nuk kemi pasur frikë nga Zoti; por edhe mbreti çfarë do të mund të bënte për ne?".

Thonë fjalë, betohen me të rreme kur lidhin besëlidhjen; prandaj ndëshkimi lulëzon si kukuta në brazdat e arave.

Banorët e Samarisë do të drithërohen për viçin e Beth-avenit, sepse populli i tij do të mbajë zi për të dhe priftërinjtë e tij që gëzoheshin me të do të dridhen, mbasi lavdia u largua prej tij.

Vetë idhullin do ta çojnë në Asiri si një dhuratë për mbretin mbrojtës. Efraimi do të turpërohet dhe Izraeli do të koritet për planet e tij.

Sa për Samarinë, mbreti i saj do të zhduket si shkuma mbi ujë.

Edhe vendet e larta të Avenit, mëkati i Izraelit, do të asgjësohen; ferra dhe gjemba do të rriten mbi altarët e tyre. Atëherë do t’u thonë maleve: "Na mbuloni!," dhe kodrave: "Na bini përsipër!".

"Që nga ditët e Gibeahut ti ke mëkatuar, o Izrael. Atje u ndalën; në Gibeah beteja kundër të bijve të paudhësisë nuk i arriti.

10 Kur të më pëlqejë, do t’i ndëshkoj; popujt do të mblidhen kundër tyre, kur t’i lidh për të dy paudhësitë e tyre.

11 Efraimi është si një mëshqerrë e stërvitur mirë, së cilës i pëlqen të shijë grurin, por unë do të vë zgjedhën mbi qafën e saj të bukur; do ta lidh Efraimin me parmendën, Juda do të lërojë, Jakobi do të thërmojë plisat".

12 Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë.

13 Ju keni lëruar ligësinë, keni korrur paudhësinë, keni ngrënë frytin e gënjeshtrës. Duke qenë se ti u ke besuar rrugëve të tua, në turmën e trimave të tu,

14 një trazirë do të lindë në mes të popullit tënd dhe të gjitha fortesat e tua do të shkatërrohen ashtu si Shalmani shkatërroi Beth-arbelin, ditën e betejës, kur nëna u bë copë-copë mbi bijtë.

15 Kështu do të ndodhë me ty, o Bethel, për shkak të ligësisë suaj të pamasë. Në mëngjes mbreti i Izraelit do të shkatërrohet krejt.

11 "Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.

Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura.

Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja.

Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t’u dhënë të hanë.

Izraeli nuk do të kthehet në vendin e Egjipti; por Asiri do të jetë mbreti i tij, sepse nuk kanë pranuar të konvertohen.

Shpata do të bjerë mbi qytetet e tij, do të shkatërrojë shufrat e tyre dhe do t’i hajë për shkak të planeve të tyre të këqija.

Populli im synon të largohet nga unë; megjithatë e thërresin Shumë të Lartin, asnjë prej tyre nuk e përlëvdon.

Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra.

Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.

10 Ata do të ndjekin Zotin, që do të vrumbullojë si një luan; kur do të vrumbullojë, bijtë e tij do të rendin drejt tij nga perëndimi duke u dridhur.

11 Do të rendin duke u dridhur si zogjtë nga Egjipti dhe si pëllumbesha nga vendi i Asirisë; unë do t’i bëj të banojnë në shtëpitë e tyre," thotë Zoti.

12 Efraimi më qarkon me gënjeshtra dhe shtëpia e Izraelit me mashtrin. Edhe Juda është akoma i pabindur ndaj Perëndisë dhe të Shenjtit që është besnik.

“Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Unë i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur.

Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim.

Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij te ti.

Por ke disa veta në Sardë, që nuk e ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.

Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij.

Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”

“Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.

Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t’i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.

10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.

11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.

12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.

13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”

14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”