Add parallel Print Page Options

Profecia që pati në vegim profeti Habakuk.

Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh? Unë këlthas: Dhunë!,," por ti nuk jep shpëtim.

Përse më bën të shikoj paudhësinë dhe më bën të shoh çoroditjen? Përpara meje qëndron grabitja dhe dhuna, ka grindje dhe përçarja po shtohet.

Prandaj ligji nuk ka forcë dhe drejtësia nuk ia del të fitojë, sepse i pabesi e mashtron të drejtin dhe drejtësia shtrëmbërohet.

"Shikoni midis kombeve dhe këqyrni, do të mbeteni të habitur dhe të shastisur, sepse unë do të kryej në ditët tuaja një vepër, që ju nuk do ta besonit edhe sikur t’jua tregonin.

Sepse ja, unë do t’i nxis Kaldeasit, komb mizor dhe i furishëm, që përshkon dheun në gjerësinë e tij për të shtënë në dorë banesa jo të vetat.

Éshtë i tmerrshëm, i llahtarshëm; gjykimi i tij dhe dinjiteti i tij dalin nga ai vetë.

Kuajt e tij janë më të shpejtë se leopardët, më të egër se ujqërit e mbrëmjes. Kalorësit e tyre përhapen kudo, kalorësit e tyre vijnë nga larg, fluturojnë si shqiponja që sulet mbi gjahun për ta gllabëruar.

Vijnë të gjithë për të bërë dhunë, fytyrat e tyre shtyhen përpara dhe grumbullojnë robër si rëra.

10 Ai tallet me mbretërit dhe princat janë për të objekt talljeje; përqesh çfarëdo fortese, sepse mbledh pak dhe, dhe e pushton.

11 Pastaj përparon shpejt si era, kalon tutje dhe e bën veten fajtor, duke ia atribuar këtë forcë të tij perëndisë së vet".

12 A nuk je që nga fillimet, o Zot, Perëndia im, i shenjti im? Ne nuk do të vdesim, o Zot, sepse ti e ke caktuar për të bërë drejtësi dhe e ke caktuar, o Shkëmb, për të ndëshkuar.

13 Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë. Pse rri dhe shikon ata që veprojnë me hile, dhe hesht kur i ligu gllabëron atë që është më i drejtë se ai?

14 Pse i bën njerëzit si peshqit e detit dhe si rrëshqanorët, që nuk kanë zot?

15 Ai i zë të gjithë me grep, i zë me rrjetën e tij dhe i mbledh me rrjetën e tij të peshkimit; pastaj kënaqet dhe ngazëllon.

16 Prandaj i bën flijime rrjetës së tij dhe djeg temjan për rrjetën e tij, sepse me to pjesa e tij është e madhe dhe ushqimi i tij i bollshëm.

17 A do të vazhdojë ai, pra, të zbrazë rrjetën e tij dhe të masakrojë kombet pa mëshirë?

Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë për të parë atë që do të më thotë dhe çfarë do të duhet t’i përgjigjem lidhur me ankesën e bërë.

Pastaj Zoti m’u përgjigj dhe tha: "Shkruaje vegimin tënd dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet shpejt.

Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; në se vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.

Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij.

Përveç kësaj vera e tradhëton njeriun krenar dhe kështu ai nuk rri në shtëpi. Ai, pra, e shton lakminë e tij si Sheoli dhe është si vdekja, sepse kurrë nuk është i kënaqur, por mbledh rreth vetes tërë kombet dhe tërë popujt.

Tërë këta a nuk do të fillojnë vallë të përdorin një proverb kundër tij dhe një gjëzë tallëse kundër tij? Ata do të thonë: "Mjerë ai që grumbullon gjëra që nuk janë të tijat (por deri kur?) dhe kush ngarkohet me pengje!".

A nuk do të ngrihen vallë papritur kreditorët e tu dhe nuk do të zgjohen torturuesit e tu? Dhe ti do të bëhesh preja e tyre.

Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij.

Mjerë ai që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t’i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë.

10 Ti ke programuar turpin e shtëpisë sate, duke shfarosur shumë popuj, dhe ke mëkatuar kundër vetvetes.

11 Sepse guri do të këlthasë nga muri dhe trari do të përgjigjet nga dyshemeja.

12 Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi!

13 Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë?

14 Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin.

15 Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij!

16 Ti do të ngopesh me turp dhe jo me lavdi; pi edhe ti dhe mosrrethprerja jote le të zbulohet lakuriq. Kupa në të djathtë të Zotit do të drejtohet nga ti dhe poshtërsia do të mbulojë lavdinë tënde.

17 Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij.

18 Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur?

19 Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!," apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t’ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete.

20 Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.

Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin.

"O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën.

Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij.

Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij.

Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.

Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme.

Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin.

O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores?

Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë.

10 Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart.

11 Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.

12 Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.

13 Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart.

14 Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t’i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi.

15 Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash.

16 Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën e fatkeqësisë, që do t’i vijë popullit që e mësyn.

17 Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla,

18 unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.

19 Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të durëve dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia". Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.

Fjala e Zotit që iu drejtua Sofonias, birit të Kushit, bir i Gedaliahut, bir i Amariahut, bir i Ezekias, në ditët e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës.

"Unë do të zhduk krejt çdo gjë nga faqja e dheut," thotë Zoti.

"Do të zhduk njerëz dhe kafshë, do të zhduk zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, shkaqet e mëkatit së bashku me të pabesët dhe do të shfaros njeriun nga faqja e dheut," thotë Zoti.

"Do të shtrij dorën time kundër Judës dhe kundër të gjithë banorëve të Jeruzalemit dhe do të shfaros nga ky vend mbeturinat e Baalit, emrin e priftërinjve idhujtarë, bashkë me priftërinjtë,

ata të cilët bien përmbys mbi tarraca përpara ushtrisë së qiellit, ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit,

ata që largohen nga Zoti dhe ata që nuk e kërkojnë Zotin dhe nuk e konsultojnë.

Rri në heshtje para Zotit, Zotit, sepse dita e Zotit është e afërt, sepse Zoti ka përgatitur një flijim, ka shenjtëruar të ftuarit e tij.

Ditën e flijimit të Zotit do të ndodhë që unë do të ndëshkoj princat, bijtë e mbretit dhe tërë ata që mbajnë veshje të huajsh.

Po atë ditë do të ndëshkoj tërë ata që hidhen mbi prag, që mbushin me dhunë dhe mashtrim shtëpitë e zotërve të tyre.

10 Atë ditë," thotë Zoti, "do të ngrihet një britmë nga porta e peshqve, një klithmë nga lagja e dytë dhe një zhurmë e madhe nga kodrat.

11 Ulërini, o banorë të Makteshit, sepse tërë populli i tregtarëve është asgjësuar, tërë ata të ngarkuar me para janë shfarosur.

12 Në atë kohë do të ndodhë që unë do të kontrolloj Jeruzalemin me llampa dhe do të ndëshkoj njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre, thonë në zemër të tyre: "Zoti nuk bën as të mirë as të keq".

13 Prandaj pasuritë e tyre do të bëhen plaçkë lufte dhe shtëpitë e tyre do të shkretohen. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbjellin vreshta, por nuk do pinë verën e tyre".

14 Dita e Zotit është e afërt, është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe. Zhurma e ditës së Zotit është e hidhur; atëherë njeriu trim do të këlthasë fort.

15 Ajo ditë është një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë,

16 një ditë zhurmimi të borisë dhe alarmi kundër qyteteve të fortifikuara dhe kullave të larta.

17 Unë do të sjell fatkeqësinë mbi njerëzit dhe ata do të ecin si të verbër, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit; gjaku i tyre do të shpërndahet si pluhur dhe mishi i tyre si jashtëqitje.

18 As argjendi i tyre as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit; përkundrazi tërë vendi do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë së tij, sepse ai do të kryejë me siguri një shkatërrim të plotë të të gjithë banorëve të vendit.

Mblidhuni, mblidhuni bashkë, o komb i pacipë,

para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit.

Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.

Sepse Gaza do të braktiset dhe Ashkeloni do të bëhet një shkreti; do të dëbojnë Ashdodin me dhunë në mes të ditës, dhe Ekroni do të çrrënjoset.

Mjerë banorët e bregut të detit, mjerë kombi i Kerethejve! Fjala e Zotit është kundër teje, o Kanaan, vend i Filistejve: "Unë do të të shkatërroj dhe nuk do të mbetet më asnjë i gjallë".

Kështu bregu i detit do të jetë i tëri kullotë me banesa për barinjtë dhe vathë për kopetë.

Bregdeti do t’i përkasë mbeturinës së shtëpisë së Judës; në këto vende do të kullotin kopetë; në mbrëmje do të pushojnë në shtëpitë e Ashkelonit, sepse Zoti, Perëndia i tyre, do t’i vizitojë dhe do t’i kthejë nga robëria.

"Kam dëgjuar përbuzjen e Moabit dhe fyerjet e rënda të bijve të Amonit, me të cilat kanë fyer popullin tim dhe janë zmadhuar në dëm të territorit të tyre.

Prandaj, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, "me siguri Moabi do të jetë si Sodoma, dhe bijtë e Amonit si Gomorra, një vend i zënë nga hithrat dhe kripërat, një shkreti përjetë. Kusuri i popullit tim do t’i plaçkitë dhe mbeturina e popullit tim do t’i zotërojë.

10 Kjo do t’u ndodhë për shkak të kryelartësisë së tyre, sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë popullin e Zotit të ushtrive.

11 Zoti do të jetë i tmerrshëm kundër tyre, sepse do t’i përkulë tërë perënditë e tokës; dhe secili do ta adhurojë nga vendi i tij, po, tërë ishujt e kombeve.

12 Edhe ju, Etiopas, do të vriteni nga shpata ime".

13 Ai do të shtrijë dorën kundër veriut, do të shkatërrojë Asirinë dhe do ta bëjë Niniven shkreti, një vend të thatë si shkretëtira.

14 Në mes të tij do të struken kopetë, tërë kafshët e kombeve; si pelikani ashtu dhe çafka do të kalojnë natën mbi kapitelet e shtyllave të tij; zëri i tyre do të dëgjohet në dritare; shkretimi do të jetë mbi pragje, sepse do të shkatërrojë veshjen me panela kedri.

15 Ky është qyteti i qejfeve që rrinte i sigurt dhe thoshte në zemër të vet: "Unë, dhe askush tjetër veç meje". Vallë si u bë një shkreti, një vend ku struken kafshët? Kushdo që do t’i kalojë afër do të fërshëllejë dhe do të tundë dorën.

Mjerë ai që është rebel dhe i ndotur, mjerë qyteti i shtypjes!

Ai nuk ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka pranuar të ndreqet, nuk ka patur besim tek Zoti, nuk i është afruar Perëndisë të vet.

Krerët e tij në mes të tij janë luanë që vrumbullojnë; gjyqtarët e tij janë ujqër të mbrëmjes, që nuk lënë asnjë kockë për ta brejtur për mëngjes.

Profetët e tij janë mburravecë, të pabesë; priftërinjtë e tij kanë përdhosur vendin e shenjtë, kanë dhunuar ligjin.

Zoti është i drejtë në mes të tij, ai nuk kryen paudhësi. Çdo mëngjes ai sjell në dritë drejtësinë pa munguar asnjë herë, por i çorodituri nuk njeh turp.

"Kam shfarosur kombet; kalatë e tyre janë shembur; i kam shkretuar rrugët e tyre dhe askush nuk kalon nëpër to; qytetet e tyre janë shkatërruar dhe askush nuk banon në to.

Unë thoja: "Me siguri do të kesh frikë nga unë, do të pranosh të ndreqesh," dhe kështu banesa e tij nuk do të shkatërrohej me gjithë ndëshkimet që i kam dhënë. Por ata u nxituan të prishen në të gjitha veprimet e tyre.

Prandaj më prit," thotë Zoti, "kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.

Sepse atëherë do t’u jap popujve një të folur të pastër, me qëllim që të gjithë të përmendin emrin e Zotit, për t’i shërbyer me një marrëveshje të përbashkët.

10 Që përtej lumenjve të Etiopisë, adhuruesit e mi, bija e të humburve të mi, do të më sjellin ofertat e tyre.

11 Në atë ditë ti nuk do të kesh më turp për të gjitha veprimet e tua me të cilat ngrite krye kundër meje, sepse atëherë unë do të largoj nga mesi yt ata që gëzohen në madhështinë tënde, dhe ti nuk do të krenohesh në malin tim të shenjtë".

12 "Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit.

13 Mbeturina e Izraelit nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; sepse ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë".

14 Lësho britma gëzimi, o bijë e Sionit, lësho britma hareje, o Izrael! Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër, o bijë e Jeruzalemit!

15 Zoti i ka revokuar gjykimet e tij kundër teje, ka dëbuar armikun tënd. Mbreti i Izraelit, Zoti, ndodhet midis teje, nuk do të kesh më frikë nga asgjë.

16 Atë ditë do të thonë në Jeruzalem: "Mos ki frikë, o Sion, duart e tua mos u dobësofshin!

17 Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.

18 Unë do të mbledh ata që janë të pikëlluar për kuvendet solemne, që janë në mes tuaj për të cilët pesha për atë ishte bërë objekt përçmimi.

19 Ja, në atë kohë unë do të veproj kundër atyre që të shtypin; do të shpëtoj çalamanin dhe do të mbledh ata që janë dëbuar, dhe do t’i bëj të lavdishëm dhe të dëgjuar në të gjitha vendet ku kanë qenë me turp.

20 Në atë kohë unë do t’ju kthej, po, në atë kohë do t’ju mbledh; sepse do t’ju bëj të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve të tokës, kur, para syve tuaj, do t’i bëj të kthehen ata që janë në robëri," thotë Zoti.