Add parallel Print Page Options

42 Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm nga ana e veriut dhe më çoi në dhomat që ndodheshin përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimit në drejtim të veriut.

Konstruksioni i fasadës drejt veriut kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej pesëdhjetë kubitësh.

Përballë oborrit të brendshëm prej njëzet kubitësh dhe përballë kalldrëmit të oborrit të jashtëm kishte një galeri mbi tjetrën me tre kate.

Përpara dhomave kishte një kalim të brendshëm, që ishte i gjerë dhjetë kubitë dhe i gjatë njëqind kubitë; portat e tyre shikonin nga veriu.

Dhomat e sipërme ishin më të ngushta, sepse galeritë zinin më tepër hapësirë se galeritë e poshtme dhe të ndërmjetme të ndërtimit.

Duke qenë se ishin me tre kate dhe nuk kishin shtylla si shtyllat e oborreve prandaj nga toka dhomat e sipërme ishin më të ngushta se ato të poshtme dhe të ndërmjetme.

Muri i jashtëm, paralel me dhomat nga ana e oborrit të jashtëm, ballë dhomave, kishte një gjatësi prej pesëdhejtë kubitësh;

në fakt gjatësia e dhomave nga ana e oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kubitë, ndërsa nga ana e faqes së shenjtërores ishte njëqind kubitë.

Poshtë këtyre dhomave kishte një hyrje nga ana e lindjes, për atë që hynte në to nga oborri i jashtëm.

10 Në murin e gjerë të oborrit në drejtim të lindjes, përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimitit, kishte dhoma.

11 Përpara tyre kishte një kalim të ngjashëm me atë të dhomave që ishin nga ana e veriut; ato kishin po atë gjatësi e gjerësi, me të gjitha daljet dhe portat që ndiqnin të njëjtat kritere.

12 Në përputhje me portat e dhomave që ishin nga jugu, kishte një portë në krye të kalimit pikërisht përpara murit në drejtim të lindjes.

13 Ai më tha: "Dhomat nga veriu dhe dhomat nga jugu që ndodhen përballë hapësirës boshe janë dhoma të shenjta, ku priftërinjtë që i afrohen Zotit do të hanë gjërat shumë të shenjta; atje do të depozitojnë gjërat shumë të shenjta, domethënë blatimet e ushqimit dhe blatimet për mëkatin dhe për shkeljen, sepse ai vend është i shenjtë.

14 Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin më nga vendi i shenjtë në oborrin e jashtëm, por do të vendojnë aty rrobat e tyre me të cilat kryejnë shërbimin, sepse janë të shenjta; do të veshin rroba të tjera dhe kështu do të mund t’i afrohen asaj që i përket popullit".

15 Mbasi mbaroi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori nga porta që shikonte nga lindja dhe mati pjesën e rrethuar rreth e qark.

16 Mati anën lindore me kallamin matës: pesëqind kubitë me kallamin matës rreth e qark.

17 Mati anën veriore: pesëqind kubitë me kallamin për matës rreth e qark,

18 Mati anën jugore me kallamin matës: pesëqind kubitë.

19 U kthye nga ana perëndore dhe mati: pesëqind kubitë me kallamin matës.

20 Mati sipërfaqen nga të katër anët: kishte rreth e qark një mur që ishte i gjatë pesëqind kubitë dhe i gjërë pesëqind kubitë, për të ndarë vendin e shenjtë nga ai profan.

43 Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.

Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.

Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.

Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.

Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.

Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;

dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre, me kurvërimet e tyre dhe me kufomat e mbretërve të tyre mbi vendet e tyre të larta,

duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.

Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.

10 Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,

11 dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t’i zbatojnë në praktikë.

12 Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.

13 Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;

14 nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjërë; nga plaftorma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjërë.

15 Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.

16 Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjërë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.

17 Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjërë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".

18 Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar olokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.

19 Priftërinjtë levitikë që vjnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer," thotë Zoti, Zoti, "ti do t’u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.

20 Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.

21 Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.

22 Ditën e dytë do të ofrosh si flijim për mëkatin një cjap pa të meta dhe me të do të pastrohet altari siç u pastrua me demin e ri.

23 Me të përfunduar pastrimin e tij, do të ofrosh një dem të ri pa të meta dhe një dash të kopesë pa të meta.

24 Do t’i paraqesësh përpara Zotit, dhe priftërinjtë do të hedhin mbi ta kripë dhe do t’ia ofrojnë si olokaust Zotit.

25 Shtatë ditë do të ofrosh një cjap si flijim për mëkatin; do të ofrosh gjithashtu një dem të ri dhe një dash të kopesë, të dy pa të meta.

26 Shtatë ditë do të bëhet shlyerja për altarin, do të pastrohet dhe do të shenjtërohet.

27 Me të mbaruar këto ditë, nga dita e tetë e tutje priftërinjtë do të ofrojnë mbi altar olokaustet tuaja dhe flijimet tuaja të falenderimit, dhe unë do t’ju pëlqej," thotë Zoti, Zoti.