Add parallel Print Page Options

35 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde nga mali Seir dhe profetizo kundër tij,

dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o mal i Seirit. Do ta shtrij dorën time kundër teje dhe do të të kthej në një mjerim dhe në një shkreti.

Do t’i kthej qytetet e tua në gërmadha dhe ti do të bëhesh një shkreti. Atëherë do të pranosh që unë jam Zoti.

Sepse ti ke patur një armiqësi të vjetër dhe i ke dorëzuar bijtë e Izraelit në mëshirë të shpatës në kohën e fatkeqësisë së tyre, kur paudhësia e tyre kishte arritur kulmin.

Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "të ruaj për gjak dhe gjaku do të të ndjekë; duke qenë se nuk e ke urryer gjakun, gjaku do të të ndjekë.

Kështu do ta katandis malin Seir në një mjerim dhe në një shkreti dhe do të shfaros ata që shkojnë dhe që vijnë.

Do t’i mbush malet e tij me të vrarët e tij; në të gjitha kodrat e tua, në luginat e tua dhe në të gjitha përroskat e tua do të bien të vrarët nga shpata.

Do të të katandis në një shkreti përjetë dhe qytetet e tua nuk do të banohen më; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

10 Sepse ke thënë: "Këta dy kombe dhe këto dy vende do të jenë të mitë; ne do t’i zotërojmë," megjithëse aty ishte Zoti,

11 ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë do të veproj me po atë zemërimin tënd dhe me xhelozinë që ke treguar në urrejtjen tënde kundër tyre dhe do të bëhem i njohur në mes tyre kur të të gjykoj.

12 Ti atëherë do të pranosh që unë, Zoti, kam dëgjuar të gjitha fyerjet që ke shqiptuar kundër maleve të Izraelit, duke thënë: "Janë të shkretuar; na janë dhënë neve për ti gllabëruar".

13 Me gojën tuaj jeni mburrur kundër meje dhe i keni shumuar fjalët tuaja kundër meje, kam dëgjuar çdo gjë".

14 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur gjithë toka do të gëzohet, unë do të të katandis në shkreti.

15 Me qenë se u gëzove që trashëgimia e shtëpisë së Izraelit ishte katandisur në shkreti, unë do të veproj kështu me ty: do të bëhesh i shkretë, o mal i Seirit, madje edhe tërë Edomi. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

36 "Ti bir njeriu, profetizo u maleve të Izraelit dhe u thuaj: O male të Izraelit, dëgjoni fjalët e Zotit.

Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se armiku ka thënë për ju: "Ah, ah! Kodrat e përjetshme janë bërë prona jonë," profetizo dhe thuaj:

Kështu thotë Zoti, Zoti: Po, duke qenë se kanë dashur t’ju shkretojnë dhe t’ju gllabërojnë nga çdo anë që të bëheni një zotërim i mbetjes së kombeve dhe duke qenë se keni qenë objekt i bisedave të gjuhëve të këqia dhe i shpifjeve të njerëzisë,"

prandaj, o male të Izraelit, dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe qafave, përroskave dhe luginave, vendeve të shkatërruara dhe të shkretuara dhe qyteteve të braktisura që janë bërë pre dhe objekt përçmimi nga kombet që ndodhen rreth e qark.

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Po, në zjarrin e xhelozisë sime unë flas kundër kusurit të kombeve dhe kundër tërë Edomit që e kanë shtënë në dorë vendim tim me gjithë gëzimin e zemrës dhe përçmimin e shpirtit, për ta përzënë si një pre.

Prandaj profetizo tokës së Izraelit, u thuaj maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë fola në xhelozinë time dhe në tërbinin tim, sepse ju keni sjellë turpin e kombeve".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë ngrita dorën për betim; kombet që më rrethojnë do të sjellin edhe ata turpin e tyre.

Por ju, o male të Izraelit, do të keni degët tuaja dhe do të mbani frytet tuaja për popullin tim të Izraelit; po, ai është duke u kthyer.

Sepse ja, unë jam për ju, do të kthehem nga ju dhe ju do të punoheni dhe do të mbilleni.

10 Do t’i shumoj mbi ju njerëzit, tërë shtëpinë e Izraelit; qytetet do të banohen dhe gërmadhat do të rindërtohen.

11 Do të shumoj mbi ju njerëzit dhe kafshët; do të shumohen dhe do të jenë pjellorë. Do të bëj që të banoheni si në kohrat e kaluara, dhe do t’ju bëj më tepër të mira se sa në fillimet tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

12 Po, do të bëj të ecin mbi ju njerëz, popullin tim të Izraelit; ata do t’ju zotërojnë dhe ju do të jeni trashëgimia e tyre dhe nuk do t’u hiqni më bijtë e tyre".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju thonë: "Je një vend që ka gëlltitur njerëz dhe që ke privuar kombin tënd nga bijtë,"

14 prandaj nuk do të gëlltitësh më njerëz dhe nuk do ta privosh kombin tënd nga bijtë," thotë Zoti, Zoti.

15 "Do ta bëj që të mos dëgjosh më talljet e kombeve dhe ti nuk do të mbash më turpin e popujve dhe nuk do ta bësh kombin tënd të rrëzohet," thotë Zoti, Zoti.

16 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

17 "Bir njeriu, kur ata të shtëpisë së Izraelit banonin në vendin e tyre, e ndotnin me sjelljen e tyre dhe me veprimet e tyre; sjellja e tyre para meje ishte si papastërtia e gruas gjatë ciklit të saj muajor.

18 Prandaj hodha mbi ta zemërimin tim për gjakun që kishin derdhur mbi vendin dhe për idhujt me të cilët e kishin ndotur.

19 Kështu i shpërndava ndër kombet dhe shkuan në të gjitha drejtimet nëpër tërë vendet; i gjykova sipas sjelljes së tyre dhe veprimeve të tyre.

20 Me të arritur te kombet ku kishin shkuar, e përdhosën emrin tim të shënjtë, sepse për ata thuhej: "Këta janë populli i Zotit, por megjithatë u është dashur të dalin nga vendi i tij".

21 Kështu pata kujdes për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit kishte përdhosur midis kombeve ku kishte shkuar.

22 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar.

23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti," thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre.

24 Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj.

25 Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.

26 Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.

27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

28 Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.

29 Do t’ju çliroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush.

30 Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve.

31 Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqia dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.

32 Nuk është për hatrin tuaj që unë veproj," thotë Zoti, Zoti, "dijeni mirë këtë. Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit".

33 Kështu thotë Zoti Zoti: "Ditën kur unë do t’ju pastroj nga të gjitha paudhësitë tuaja, do t’ju bëj të banoni në qytete, dhe gërmadhat do të rindërtohen.

34 Toka e shkretuar do të punohet, në vend që të jetë një shkreti në sytë e të gjithë kalimtarëve.

35 Dhe do të thonë: "Kjo tokë që ishte e shkretuar është bërë si kopshti i Edenit, dhe qytetet e shkatërruara, të shkretuara dhe të rrënuara tani janë të fortifikuara dhe të banuara".

36 Atëherë kombet që do të kenë mbetur rreth e qark jush do të pranojnë që unë, Zoti, kam rindërtuar vendet e shkatërruara dhe kam mbjellë tokën që ishte shkretuar. Unë, Zoti fola dhe do ta kryej".

37 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të jem sërisht i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta: Unë do t’i shumoj njerëzit e tyre si një kope.

38 Si një kope dhënsh të shenjtëruara, si kopeja e Jeruzalemit në festat e tij solemne, kështu qytetet e shkatërruara do të mbushen me kope njerëzish. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

37 Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka.

Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata.

Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: O Zot, o Zot, ti e dii".

Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit.

Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni.

Do të vë mbi ju mishin, do t’ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".

Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës.

Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato.

Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë".

10 Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe.

11 Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur".

12 Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit.

13 Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im.

14 Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t’ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë," thotë Zoti.

15 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

16 "Ti, bir njeriu, merr një copë dru dhe mbi të shkruaj: "Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokë të tij". Pastaj merr një copë tjetër dru dhe shkruaj mbi të: "Për Jozefin, bastun i Efraimit dhe i tërë shtëpisë së Izraelit, shokë të tij".

17 Afroi pastaj njeri te tjetri në një dru të vetëm, me qëllim që të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde.

18 Kur bijtë e popullit tënd do të të flasin, duke thënë: "A do të na shpjegosh ç’kuptim kanë këto gjëra për ty?,"

19 ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr drurin e Jozefit, që është në dorë të Efraimit, dhe fiset e Izraelit që janë shokë të tij, dhe do t’i bashkoj me këtë, domethënë me drurin e Judës, për ta bërë një dru të vetëm; kështu ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën time.

20 Mbaj në dorën tënde para syve të tyre drurët mbi të cilët ke shkruar,

21 dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj përsëri në vendin e tyre,

22 dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata; nuk do të jenë më dy kombe, as do të ndahen më në dy mbretëri.

23 Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre, me veprimet e tyre të neveritshme dhe me gjithë shkeljet e tyre; do t’i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar dhe ku kanë kryer mëkate, dhe do t’i pastroj; kështu do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.

24 Shërbëtori im David do të jetë mbret mbi ta dhe do të ketë një bari të vetëm për të gjithë; ata do të ecin sipas dekreteve të mia, do të respektojnë statutet e mia dhe do t’i zbatojnë në praktikë.

25 Dhe do të banojnë në vendin që i dhashë shërbëtorit tim Jakob, atje ku banuan etërit tuaj. Do të banojnë aty ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre për jetë dhe shërbëtori im David do të jetë princi i tyre përjetë.

26 Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje; do të jetë një besëlidhje e përjetshme me ta; do t’i bëj të qëndrueshëm, do t’i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë.

27 Banesa ime do të jetë pranë tyre; po, po unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.

28 Edhe kombet do të pranojnë që unë, Zoti, e shenjtëroj Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë në mes tyre përjetë".

38 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij,

dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Gog, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.

Unë do të të kthej prapa, do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë tënde, me kuaj dhe kalorës, të gjithë të veshur shkëlqyeshëm, një turmë e madhe me mburoja të mëdha dhe të vogla, me shpatë në dorë,

dhe me ta Persia, Etiopia dhe Puti, të gjithë me mburoja dhe përkrenare.

Gomeri dhe tërë ushtarët e tij, shtëpia e Togarmahut, pjesët skajore të veriut dhe të gjithë ushtarët e tij, shumë popuj janë me ty.

Përgatitu dhe ji gati, ti dhe gjithë turmat e tua të mbledhura rreth teje, dhe ji roje për ta.

Mbas shumë ditësh ti do të ndëshkohesh. Në vitet e fundit do të sulesh kundër vendit që nuk iu shmang shpatës, banorët e të cilit janë mbledhur nga shumë popuj, në malet e Izraelit, që kanë qenë për shumë kohë një shkreti; tani ata, të nxjerrë nga popujt, do të banojnë të gjithë të sigurt.

Ti do të ngjitesh, do të vish si një tufan, do të jesh si një re që mbulon vendin, ti me gjithë trupat e tua dhe shumë popuj bashkë me ty".

10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Atë ditë do të ndodhë që do të të vijnë në mendje projekte dhe do të hartosh një plan të keq.

11 Do të thuash: "Unë do të dal kundër këtij vendi fshatrash pa mure, do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure dhe nuk kanë as shula as porta,"

12 për të plaçkitur dhe për të bërë pre, për të shtrirë dorën tënde kundër vendeve të shkretuara, por tani të ripopulluara dhe kundër një populli të mbledhur midis kombeve, që i ka siguruar vetes kafshë, pasuri dhe banesë në lartësitë e vendit.

13 Sheba, Dedani, tregtarët e Tershishit dhe tërë luanët e vegjël do të pyesin: "Ke ardhur për të plaçkitur? Ke mbledhur turmën tënde për të bërë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë kafshët dhe pasuritë, për të bërë një plaçkë të madhe?".

14 Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe i thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti, Zoti: Atë ditë, kur populli im i Izraelit do të jetë i sigurtë, a nuk do ta dish ti?

15 Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë të hipur mbi kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e fuqishme.

16 Do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur ditët e fundit: do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin, kur të shenjtërohem te ti përpara syve të tyre, o Gog".

17 Kështu thotë Zoti, Zoti: "A nuk je ti ai për të cilin fola në kohët e lashta me anë të shërbëtorëve të mi, profetët e Izraelit, të cilët për vite me radhë profetizuan ato ditë që do të të kisha sjellë kundër tyre?

18 Por do të ndodhë që po atë ditë, ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit," thotë Zoti, Zoti, "që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës.

19 Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit:

20 përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rreshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë.

21 Unë do të thërras kundër tij shpatën mbi të gjitha malet e mia," thotë Zoti, Zoti; shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.

22 Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të me murtajë dhe me gjak do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur.

23 Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe do të pranojnë se unë jam Zoti".