Add parallel Print Page Options

21  Fjala e të Amshueshmit m’u drejtua akoma, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën nga Jeruzalemi, fol hapur kundër vendeve të shenjta dhe profetizo kundër vendit të Izraelit;

dhe i thuaj vendit të Izraelit: Kështu thotë Zoti: Ja unë jam kundër teje, do të nxjerr shpatën time nga milli i saj dhe do të këpus nga ti të drejtët dhe të këqinjtë.

Duke qenë se dua të këpus nga ty të drejtët dhe të këqinjtë, shpata ime do të dalë nga milli i saj kundër çdo mishi nga jugu në veri.

Kështu çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, kam nxjerrë shpatën nga milli i saj dhe nuk do të hyjë më në të.

Prandaj ti, bir njeriu, vajto me ijët e thyer dhe vajto me dhembje para syve të tyre.

Do të ndodhë që kur të të pyesin: "Pse vajton?," do të përgjigjesh: "Për lajmin që po vjen, çdo zemër do të tretet, të gjitha duart do të dobësohen, të gjithë shpirtërat do të ligështohen dhe të gjithe gjunjët do të shkrihen si uji". Ja, gjëja po vjen dhe do të kryhet," thotë Zoti, Zoti.

Fjala e Zoti m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti. Thuaj: Një shpatë, një shpatë është mprehur e madje shndrit,

10  është mprehur për të bërë një masakër të madhe dhe është e mprehur që të vetëtijë. A mund të gëzohemi vallë? Ju përçmoni skeptrin e birit tim sikur të ishte një dru çfarëdo.

11  Zoti e ka dhënë ta lustrojnë për ta rrokur në dorë; shpata është mprehur dhe lustruar për ta dhënë në dorë të atij që vret.

12  Klith dhe bërtit, bir njeriu, sepse do të përdoret kundër popullit tim, kundër tërë princave të Izraelit; ata do të dorëzohen në pushtetin e shpatës bashkë me popullin tim. Prandaj rrihe kofshën tënde,

13  sepse kjo është një provë. Çfarë do të ndodhte sikur të mos ishte më as skeptri përbuzës?," thotë Zoti, Zoti.

14  "Prandaj ti, bir njeriu, profetizo dhe rrih duart; lëre që shpata të dyfishojë dhe të trefishojë goditjet e saj: është shpata e masakrës së madhe, që i rrethon nga çdo anë.

15  Kam kthyer majën e shpatës kundër të gjitha portave të tyre, me qëllim që zemra e tyre të tretet dhe shumë të bien. Ah, është bërë për të shkëlqyer, është mprehur për masakrën.

16  Shpatë, ji e pamëshirshme; kthehu më të djathtë, kthehu në të majtë, kudo ku drejtohet tehu yt.

17  Edhe unë do të rrah duart dhe do të shfryj tërbimin tim. Unë, Zoti, kam folur".

18  Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

19  "Ti, bir njeriu, shëno dy rrugë nëpër të cilat të kalojë shpata e mbretit të Babilonisë; do të nisen që të dyja nga i njëjti vend. Vër një tregues rrugor, vëre në krye të rrugës që të çon në qytet.

20  Shëno një rrugë nëpër të cilën shpata të shkojë në Rabah, qytet i bijve të Amonit, dhe një tjetër për në Judë, kundër Jeruzalemit, qytet i fortifikuar.

21  Në fakt mbreti i Babilonisë qëndron në kryqëzimin e rrugës, në krye të dy rrugëve, për të bërë shortari: ai tund shigjetat, konsulton idhujt shtëpiakë, shqyrton mëlçinë.

22  Në të djathtë të tij përgjigja e shortarisë tregon Jeruzalemin për të vendosur deshtë, për të hapur gojën dhe për të urdhëruar masakrën, për të ngritur zërin me klithma lufte, për t’i vendosur deshtë kundër portave, për të ngritur ledhe dhe për të ndërtuar kulla.

23  Por për ta kjo do të jetë si një shortari e rremë në sytë e atyre që u janë betuar. Por ai do të kujtohet për paudhësitë e tyre, me qëllim që t’i kapin".

24  Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se keni bërë të kujtohet paudhësia juaj, duke qenë se shkeljet tuaja dolën sheshit dhe mëkatet tuaja u zbuluan në të gjitha veprimet tuaja; duke qenë se ju kanë kujtuar, do të kapeni nga dora e armikut.

25  Dhe ti, o princ i korruptuar dhe i keq i Izraelit, dita e të cilit erdhi në kohën e ndëshkimit përfundimtar,"

26  kështu thotë Zoti, Zoti: "Hiqe çallmën, hiqe kurorën; gjërat nuk do të jenë po ato: ajo që është poshtë do të ngrihet dhe ajo që është lart do të ulet.

27  Shkretim, shkretim, shkretim, unë do ta kryej. Dhe ajo nuk do të restaurohet më, deri sa të vijë ai të cilit i përket gjykimi dhe të cilit do t’ja jap.

28  Dhe ti, bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti, lidhur me bijtë e Amonit dhe lidhur me turpin e tyre dhe thuaj: Shpata, shpata është zhveshur, është lustruar për masakrën, që të hajë, që të vetëtijë,

29  ndërsa kanë për ty vegime të rreme dhe të bëjnë ty shortari të rreme, që të të vënë mbi qafën e njerëzve të këqinj të vrarë, dita e të cilëve ka arritur kohën e ndëshkimit përfundimtar.

30  Vëre përsëri në millin e saj. Unë do të të gjykoj po në atë vend ku të krijuan, në vendin e prejardhjes sate.

31  Do të derdh mbi ty indinjatën time, do të fryj kundër teje në zjarrin e zemërimit tim dhe do të të dorëzoj në duart e njerëzve brutalë, që shkaktojnë shkatërrime.

32  Do të bëhesh pre e zjarrit, gjaku yt do të derdhet në mes të vendit; nuk do të të kujtojnë më, sepse unë Zoti, fola".

22 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Tani, bir njeriu, nuk do të gjykosh ti, nuk do ta gjykosh qytetin gjakatar? Bëji, pra, të njohura të gjitha veprimet e tij të neveritshme.

Pastaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Qyteti derdh gjak në mes të tij për të sjellë kohën e tij; përveç kësaj bën idhuj kundër vetvetes për t’u ndotur.

Për gjakun që ke derdhur je bërë fajtor dhe je ndotur për idhujt që ke sajuar. Ke afruar ditët e tua dhe ke arritur në fund të viteve të tua; prandaj do të të bëj turpin e kombeve dhe objekt talljeje për të gjitha vendet.

Ata që janë afër dhe ata që janë larg teje do të tallen me ty o i molepsur për lavdi dhe plot çrregullim.

Ja princat e Izraelit: secili ka përdorur pushtetin e tij për të derdhur gjak te ti.

Te ti përçmohet ati dhe nëna, në mes teje shtypet i huaji, te ti keqtrajtohet jetimi dhe e veja.

Ti ke përçmar gjërat e mia të shtrënjta dhe ke përdhour të shtunat e mia.

Te ti ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, te ti ka njerëz që hanë mbi male, në mes teje ka njerëz që kryejnë kobe.

10 Te ti zbulohet lakuriqësia e atit, te ti poshtërohet gruaja gjatë papastërtisë së saj.

11 Dikush kryen një veprim të neveritshëm me gruan e të afërmit të tij, dikush tjetër ndot me incest nusen e të birit, një tjetër akoma poshtëron motrën e tij, bijën e atit të tij.

12 Te ti pranohen dhurata për të derdhur gjak; ti kërkon kamatë të lartë, ti ke realizuar fitime nga i afërti dhe më ke harruar mua," thotë Zoti, Zoti.

13 "Por ja, unë rrah duart për fitimin e pandershëm që ke nxjerrë dhe për gjakun e derdhur që është në mes teje.

14 A do të mund të qëndrojë zemra jote ose a do të mund të qëndrojnë të forta duart e tua në ditët kur unë do të veproj kundër teje? Unë, Zoti, fola dhe do ta kryej.

15 Unë do të të shpërndaj midis kombeve, do të të shkapërdaj midis vendeve dhe do të eleminoj papastërtinë tënde prej teje.

16 Ti do të përdhosësh vetveten në sytë e kombeve dhe do të pranosh që unë jam Zoti".

17 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

18 "Bir njeriu, shtëpia e Izraelit është bërë për mua tërë skorje: janë të gjithë bronz, kallaj, hekur dhe plumb në mes të një furre; janë bërë skorje argjëndi".

19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se të gjithë ju jeni bërë skorje të shumta, ja, unë do t’ju mbledh në mes të Jeruzalemit.

20 Ashtu si mblidhet argjëndi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t’i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t’ju mbledh, do t’ju fus atje dhe do t’ju shkrij.

21 Do t’ju mbledh dhe do të fryj mbi ju me zjarrin e zemërimit tim dhe ju do të shkriheni në mes të tij.

22 Ashtu si shkrihet argjendi në mes të furrës, kështu dhe ju do të shkriheni në mes të qytetit; dhe do të pranoni që unë, Zoti, kam derdhur mbi ju tërbimin tim".

23 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

24 "Bir njeriu, i thuaj Jeruzalemit: Ti je një tokë që nuk është pastruar ose lagur nga shiu në një ditë indinjate.

25 Komploti i profetëve të tij në mes të tij është si një luan që ulërin dhe shqyen gjahun, ata i gllabërojnë njerëzit, përvetësojnë thesaret dhe gjërat e çmueshme, shtojnë të vejat në mes të tij.

26 Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës dhe i largojnë sytë nga të shtunat e mia, prandaj jam përdhosur në mes tyre.

27 Krerët e tij në mes të tij janë si ujqër që shqyejnë gjahun për të derdhur gjak, për të shkatërruar shpirtëra, për të realizuar një fitim jo të drejtë.

28 Profetët e tij suvatojnë për ata me llaç që nuk mban, duke pasur vegime të rreme dhe duke shqiptuar shortari të gënjeshtërta për ta, dhe thonë: Kështu thotë Zoti, Zoti,," ndërsa Zoti nuk ka folur.

29 Populli i vendit ushtron shtypjen, kryen grabitje, keqtrajton të varfërin dhe nevojtarin, shtyp të huajin duke marrë nëpër këmbë drejtësinë.

30 Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t’i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta.

31 Prandaj do të derdh mbi ta indinjatën time, do t’i konsumoj me zjarrin e zemërimit tim dhe do të bëj që të bjerë mbi kryet e tyre sjellja e tyre," thotë Zoti, Zoti.