Add parallel Print Page Options

Moisiu mblodhi tërë Izraelin dhe i tha: "Dëgjo, Izrael, statutet dhe dekretet që unë shpall sot në veshët e tu me qëllim që ti t’i mësosh dhe të zotohesh t’i zbatosh.

Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb.

Zoti e lidhi këtë besëlidhje jo me etërit tanë, por me ne që jemi këtu të gjithë të gjallë.

Zoti ju foli në sy në mal, nga mesi i zjarrit.

Unë ndodhesha atëherë midis Zotit dhe jush për t’ju referuar fjalën e tij, sepse ju patët frikë nga zjarri dhe nuk u ngjitët në mal. Ai tha:

"Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje.

Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.

Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t’u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

10 por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.

11 Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.

12 Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.

13 Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,

14 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.

15 Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.

16 Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

17 Nuk do të vrasësh.

18 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

19 Nuk do të vjedhësh.

20 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

21 Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd, as arën, as shërbëtorin, as shërbëtoren, as kaun, as gomarin dhe asnjë send që janë pronë e tij".

22 Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.

23 Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m’u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,

24 dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.

25 Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.

26 Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?

27 Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".

28 Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.

29 Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!

30 Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.

31 Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t’u mësosh atyre, me qëllim që t’i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".

32 Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;

33 ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".

Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t’ju mësojë, për t’i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim;

me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten.

Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t’i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjalt, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.

Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.

Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.

Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde;

do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.

Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve,

dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.

10 Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar,

11 dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur,

12 ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

13 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij.

14 Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë,

15 (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.

16 Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa.

17 Do të respektoni me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, rregullat dhe statutet e tij që ai ju ka urdhëruar.

18 Prandaj do të bësh atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Zotit, që ti të përparosh dhe të hysh e të pushtosh vendin e mirë që Zoti iu betua t’u japë etërve të tu,

19 duke dëbuar tërë armiqtë e tu, ashtu siç kishte premtuar Zoti.

20 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë: "Çfarë kuptimi kanë këto rregulla, statute dhe dekrete, që Zoti, Perëndia ynë, ju ka urdhëruar?,"

21 ti do t’i përgjigjesh birit tënd: "Ishim skllevër të Faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme

22 Përveç kësaj Zoti veproi para syve tona, kreu mrekulli të mëdha dhe të tmerrshme kundër Egjiptit, Faraonit dhe gjithë shtëpisë së tij.

23 Dhe na nxori që andej për të na çuar në vendin që u ishte betuar t’u jepte etërve tanë.

24 Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë, siç po ndodh tani.

25 Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na ka urdhëruar"".

"Kur Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin ku ti po hyn për ta zotëruar atë, dhe kur të ketë dëbuar para teje shumë kombe: Hitejtë, Girgashejtë, Amorejtë, Kananejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Gebusejtë, shtatë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti,

dhe kur Zoti, Perëndia yt, t’i ketë lënë në pushtetin tënd, ti do t’i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre, nuk do të bësh asnjë aleancë me ta dhe nuk do të tregosh asnjë mëshirë ndaj tyre.

Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t’u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu,

sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë për t’u shërbyer perëndive të tjera, dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t’ju shkatërronte menjëherë.

Por me ta do të silleni kështu: do të shkatërroni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do të rrëzoni Asherimet e tyre dhe do t’u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura.

Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.

Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;

por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.

Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,

10 por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t’u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.

11 Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.

12 Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj.

13 Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e gjiut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t’u japë etërve të tu.

14 Ti do të jesh më i bekuari i të gjithë popujve dhe nuk do të ketë midis teje asnjë burrë apo grua shterpë, as edhe midis bagëtisë sate.

15 Zoti do të largojë nga ti çfarëdo lloj sëmundje, nuk do të dërgojë mbi ty asnjë të keqe vdekjeprurëse të Egjiptit që ke njohur, por do t’i dërgojë mbi të gjithë ata që të urrejnë.

16 Do të shfarosësh, pra, të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep në pushtetin tënd; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për ta dhe mos u shërbe perëndive të tyre, sepse ky do të ishte një kurth për ty.

17 Në zemrën tënde mund të thuash: "Këta kombe janë më të mëdhenj se unë, si do të arrij unë t’i dëboj?".

18 Mos ki frikë prej tyre, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Faraonit dhe të gjithë Egjiptasve;

19 kujto provat e mëdha që pe me sytë e tu, shenjat dhe mrekullitë e dorës së fuqishme dhe të krahut të shtrirë me të cilët Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti; kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me të gjithë popujt nga të cilët ke frikë.

20 Përveç kësaj, Zoti, Perëndia yt, do të çojë kundër tyre grerat, deri sa ata që kanë mbetur dhe ata që janë fshehur nga frika jote të kenë vdekur.

21 Mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është në mes jush, një Perëndi i madh dhe i tmerrshëm.

22 Zoti, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje; ti nuk do të arrish t’i zhdukësh menjëherë, sepse përndryshe bishat e fushës do të shtoheshin shumë kundër teje;

23 por Zoti, Perëndia yt, do t’i vërë nën pushtetin tënd, dhe do t’i hutojë shumë deri sa të shfarosen.

24 Do të japë në duart e tua mbretërit e tyre dhe ti do të zhdukësh emrat e tyre nën qiejtë; askush nuk mund të rezistojë para teje, deri sa t’i kesh shfarosur.

25 Do t’u vësh flakën shëmbëlltyrave të gdhendura të perëndive të tyre; nuk do të dëshirosh arin dhe argjendin që ndodhet mbi to dhe nuk do ta marrësh për vete, përndryshe do të biesh në kurth, sepse kjo është një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd;

26 dhe nuk do të futësh gjëra të neveritshme në shtëpinë tënde, sepse do të dënohesh me shkatërrim ashtu si ato gjëra; do ta urresh dhe do ta kesh neveri plotësisht, sepse është një gjë e caktuar për t’u shkatërruar".