Add parallel Print Page Options

32 "Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime.

Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël,

sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë!

Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Éshtë një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.

Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrëmbër dhe i degjeneruar.

Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur?

Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë.

Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit.

Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij.

10 Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij.

11 Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj,

12 Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të.

13 Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit,

14 ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit.

15 Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij.

16 Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme.

17 U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën.

18 Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar.

19 Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij,

20 dhe tha: "Unë do t’u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri.

21 Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t’i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s’është në vete.

22 Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t’u vërë zjarrin themeleve të maleve.

23 Unë do të mblesh mbi ta mjerime, do t’i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre.

24 Ata do të veniten nga uria, do të përpihen nga një vapë djegëse dhe nga një murtajë e tmerrshme; do të dërgoj kundër tyre dhëmbët e kafshëve të egra, me helmin e gjarpërinjve që hiqen zvarrë nëpër pluhur.

25 Nga jashtë shpata do t’i privojë nga fëmijët, nga brenda terrori, duke shkaktuar njëkohësisht vdekjen e të riut dhe të virgjëreshës, të foshnjës së gjirit dhe të plakut të thinjur.

26 Unë kam thënë: "Do t’i fshij një herë e mirë, do të zhduk kujtimin e tyre në mes të njerëzve,"

27 por i trembem provokimit të armikut, sepse kundërshtarët e tyre, duke interpretuar keq situatën, mund të thonë: "Triumfoi dora jonë dhe jo Zoti i cili ka bërë tërë këto gjëra!".

28 Sepse janë një komb që ka humbur gjykimin dhe nuk ka në ta asnjë zgjuarësi.

29 Po të ishin të urtë do ta kuptonin këtë, do të merrnin parasysh fundin që i pret.

30 Si do të mundte një person i vetëm të ndiqte një mijë e dyqind veta dhe, dy persona të bënin të iknin dhjetë mijë veta, po të mos i kishte shitur Shkëmbi dhe po të mos i kishte dorëzuar Zoti tek armiku?

31 Sepse shkëmbi i tyre nuk është si Shkëmbi ynë; vetë armiqtë tanë janë gjykatësit e tyre;

32 por hardhia e tyre vjen nga hardhia e Sodomës dhe nga fushat e Gomorës; rrushi i tyre është i helmatisur dhe vilet e rrushit të tyre janë të hidhura;

33 vera e tyre është një helm gjarpërinjsh, një helm mizor gjarpërinjsh helmonjës.

34 E tërë kjo a nuk është ruajtur vallë pranë meje, e vulosur në thesaret e mia?

35 Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi; do të vijë koha dhe do t’u merren këmbët! Sepse dita e gjëmës së tyre është e afërt, dhe gjërat e përgatitura për ta shpejtohen të vijnë.

36 Po, Zoti do të gjykojë popullin e tij, por do t’i vijë keq për shërbëtorët e tij kur të shohë që fuqia e tyre është zhdukur dhe që nuk mbetet më asnjeri, as skllav as i lirë.

37 Atëherë ai do të thotë: "Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi në të cilin gjenin strehë,

38 që hanin yndyrën e flijimeve të tyre dhe pinin verën e libacioneve të tyre? Le të ngrihen për t’i ndihmuar dhe për të qenë strehimi juaj!".

39 Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj, dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime.

40 Po, unë ngre dorën time në drejtim të qiellit dhe them: Unë jetoj për gjithnjë,

41 kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë.

42 Do t’i deh me gjak shigjetat e mia dhe shpata ime do të gëlltisë mishin, bashkë me gjakun e të vrarëve dhe të robërve, të krerëve flokëgjatë të armikut.

43 Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij, sepse Zoti merr hak për gjakun e shërbëtorëve të tij, merr hak kundër kundërshtarëve të tij, por do të ketë mëshirë për tokën dhe për popullin e tij".

44 Kështu Moisiu erdhi bashkë me Jozueun, birin e Nunit, dhe shqiptoi tërë fjalët e këtij kantiku në veshët e popullit.

45 Kur Moisiu mbaroi së shqiptuari tërë këto fjalë para tërë Izraelit,

46 u tha atyre: "Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.

47 Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj; dhe me këtë fjalë do të zgjasni ditët tuaja në vendin ku po hyni për ta pushtuar, duke kapërcyer Jordanin".

48 Po atë ditë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

49 "Ngjitu mbi malin e Abarimëve, mbi malin e Nebos, që ndodhet në vendin e Moabit, në bregun e kundërt të Jerikos, dhe vështro vendin e Kanaanit, që unë ju jap bijve të Izraelit.

50 Ti ke për të vdekur në malin mbi të cilin po ngjitesh dhe do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu si Aaroni, vëllai yt, ka vdekur mbi malin e Horit dhe u bashkua me popullin e tij,

51 sepse u treguat të pabesë me mua në mes të bijve të Izraelit, në ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Tsinit, dhe sepse nuk më shenjtëruat në mes të bijve të Izraelit.

52 Ti do ta shikosh vendin para teje, por atje, në vendin që unë ju jap bijve të Izraelit, ti nuk ke për të hyrë".

33 Ky është bekimi me të cilin Moisiu, njeri i Perëndisë, bekoi bijtë e Izraelit, para se të vdiste.

Dhe u tha: "Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tyre dilte për ta një ligj i zjarrtë.

Me siguri ai i do popujt; të gjithë shenjtorët e tij janë në duart e tua; ata janë ulur në këmbët e tua, secili i dëgjon fjalët e tua.

Moisiu na ka urdhëruar një ligj, një trashëgimi të asamblesë së Jakobit.

Ai ka qenë mbret në Jeshuruni, kur mblidheshin krerët e popullit, tërë fiset e Izraelit tok.

Rroftë Rubeni dhe mos vdektë; por njerëzit e tij mbetshin pak".

Judës përkundrazi i tha këto: "Dëgjo, o Zot, zërin e Judës dhe ktheje tek populli i tij; dora e tij lufton për çështjen e tij; bëhu ti një ndihmës i tij kundër armiqve të tij.

Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës.

Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse Levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde.

10 Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë olokaustin mbi altarin tënd.

11 O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrejnë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më".

12 Përsa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij".

13 Përsa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë,

14 me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji,

15 me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme,

16 me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij!

17 Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit".

18 Përsa i përket Zabulonit, ai tha: "Gëzoje, Zabulon, daljen tënde, dhe ti Isakar, ndejtjen në çadrat e tua!

19 Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e detrave dhe thesaret e fshehura në rërë".

20 Përsa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë.

21 Ai shtie në dorë pjesën e parë për veten e tij, sepse aty ishte pjesa e parë e rezervuar e udhëheqësit; ai erdhi me krerët e popullit dhe zbatoi drejtësinë e Zotit dhe dekretet e tij me Izraelin".

22 Përsa i përket Danit, ai tha: "Dani është një luan i vogël, që hidhet nga Bashani".

23 Përsa i përket Neftalit, ai tha: "O Neftali, i ngopur me favore dhe i mbushur me bekime të Zotit, pushto perëndimin dhe jugun".

24 Përsa i përket Asherit, ai tha: "Më i bekuari nga tërë bijtë qoftë Asheri! Le të jetë i preferuari i vëllezërve të tij dhe të zhysë këmbën e tij në vaj.

25 Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua.

26 Askush nuk është barabar me Perëndinë e Jeshurunit, që shkon me kalë nëpër qiejtë në ndihmën tënde dhe shkon mbi retë me madhështinë e tij.

27 Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: "Shkatërroje!".

28 Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurtë, në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij di të japë vesë.

29 Ti je i lumtur, o Izrarel! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti? Ai është mburoja që të ndihmon dhe shpata e lavdisë sate. Armiqtë e tu do të të nënshtrohen dhe ti do të shkelësh vendet e tyre të larta".

34 Pastaj Moisiu u ngjit nga fusha e Moabit në Malin Nebo, në majën e Pisgahut, që ndodhet në bregun e kundërt të Jerikos. Dhe Zoti i tregoi tërë vendin e Galaadit deri në Dan,

tërë Naftalin, vendin e Efraimit dhe të Manasit, tërë vendin e Judës deri në detin perëndimor,

Negevin dhe fushën e luginës të Jerikos, qytet i palmave, deri në Tsoar.

Zoti tha: "Ky është vendi që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t’ua jap pasardhësve tuaj". Ti e pe me sytë e tua, por nuk do të hysh në të!".

Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, simbas fjalës së Zotit.

Dhe Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij.

Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur.

Bijtë e Izraelit e qanë në fushat e Moabit tridhjetë ditë; pastaj ditët e zisë dhe të vajtimit për Moisiun morën fund.

Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Moisiun Zoti.

10 Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy,

11 në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në vendin e Egjiptit para Faraonit, para tërë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit të tij,

12 në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.

26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".

27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.

28 Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit.”

29 Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!.”

31 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë.

32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.

33 Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.

34 Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?,” që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

35 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: “Ja, ai po thërret Elian!.”

36 Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.”

37 Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.

38 Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.

39 Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!.”

40 Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja,

41 të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.

42 Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,

43 Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.

44 Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.

45 Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.

46 Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.

47 Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë.

Read full chapter