Add parallel Print Page Options

22 "Në qoftë se shikon kaun ose delen e vëllait tënd që e kanë humbur rrugën, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do ta marrësh përsipër t’ia çosh përsëri vëllait tënd.

Dhe në qoftë se vëllai yt nuk banon afër teje dhe ti nuk e njeh, do ta çosh kafshën në shtëpinë tënde deri sa yt vëlla të fillojë ta kërkojë; dhe atëherë do t’ia kthesh.

Në të njëjtën mënyrë do të veprosh me gomarin, rrobat dhe çfarëdo send tjetër që yt vëlla ka humbur dhe ti ke gjetur; ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë.

Në qoftë se ti shikon gomarin e vëllait tënd apo kaun e tij të rrëzuar gjatë rrugës, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do të ndihmosh tët vëlla për t’i ngritur.

Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.

Në rast se rrugës të rastis të gjesh mbi një dru ose për tokë një fole zogu me gjithë të vegjëlit ose me vezët dhe nënën që ngroh të vegjëlit apo vezët, nuk ke për të marrë nënën me të vegjëlit;

do të lesh nënën të ikë dhe do të marrësh për vete të vegjëlit, që ti të kesh mbarësi dhe të zgjatësh ditët e tua.

Kur të ndërtosh një shtëpi të re do të ngresh një parapet rreth çatisë së saj për të mos tërhequr një faj gjaku mbi shtëpinë tënde, në rast se dikush rrëzohet nga çatia.

Nuk do të mbjellësh në vreshtin tënd farëra të llojeve të ndryshme, me qëllim që prodhimi i asaj që ke mbjellë dhe renta e vreshtit të mos preken.

10 Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar.

11 Nuk do të veshësh rroba të bëra me një stof të përzierë leshi dhe liri.

12 Nuk do të vësh theka në katër cepat e mantelit me të cilin mbulohesh.

13 Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë,

14 dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: "Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë,"

15 babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t’ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta;

16 dhe babai i së resë do t’u thotë pleqve: "Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë,

17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime". Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit.

18 Atëherë pleqtë e atij qyteti do të marrin bashkëshortin dhe do ta dënojnë me rrahje;

19 dhe duke qenë se i ka hapur një nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do t’i vënë një gjobë prej njëqind siklash argjendi, që do t’ia japin të atit të së resë; kështu ajo do të mbetet bashkëshorte e tij dhe ai nuk do të mund ta përzërë deri sa të rrojë.

20 Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë,

21 atëherë do ta nxjerrin të renë te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj

22 Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.

23 Kur një vajzë e virgjër është e fejuar, dhe një burrë e gjen në qytet dhe bie në shtrat me të,

24 që të dy do t’i çoni në portën e atij qyteti dhe do t’i vritni me gurë, dhe ata do të vdesin: vajza sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti, dhe burri sepse ka çnderuar gruan e të afërmit të tij. Kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.

25 Por në rast se burri gjen një vajzë të fejuar, në arë, e dhunon dhe shtrihet me të, atëherë do të vritet vetëm burri që është shtrirë me të;

26 por nuk do t’i bësh asgjë vajzës; kjo nuk ka asnjë mëkat që meriton vdekjen, sepse ky rast është si ai kur një njeri ngrihet kundër të afërmit të tij dhe e vret;

27 në fakt ai e gjeti në arë; vajza e fejuar ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte.

28 Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë,

29 burri që është shtrirë me të do t’i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë.

30 Asnjeri nuk ka për të marrë gruan e atit të tij, as ka për të ngritur skajin e mbulesës së atit të tij".

23 "Ai që është tredhur me anë të shtypjes apo të gjymtimit, nuk ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Një kopil nuk do të hyjë në asamblenë e Zotit; asnjë nga pasardhësit e tij, qoftë edhe ata të brezit të dhjetë, s’ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Amoniti dhe Moabiti nuk do të hyjnë në asamblenë e Zotit, asnjë nga pasardhësit e tyre, as edhe në brezin e dhjetë, nuk kanë për të hyrë kurrë në asamblenë e Zotit,

sepse nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë kur dolët nga Egjipti dhe sepse rekrutuan kundër jush Balaamin, birin e Beorit nga Pethori i Mesopotamisë, për t’ju mallkuar.

Megjithatë Zoti, Perëndia yt, nuk deshi të dëgjojë Balaamin; por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim, sepse Zoti, Perëndia yt, të do.

Nuk do t’u kërkosh kurrë as paqen, as begatinë e tyre deri sa të jetosh.

Nuk do të urresh Idumeon, sepse ai është vëllai yt; nuk do të urresh Egjiptasin, sepse ti ishe i huaj në vendin e tij,

bijtë që do t’u lindin atyre, në brezin e tretë, do të mund të hyjnë në asamblenë e Zotit.

Kur të dalësh me ushtrinë kundër armiqve të tu, ruhu nga çdo gjë e keqe.

10 Në rast se dikush në mes teje është i papastër nga një ngjarje e natës, ka për të dalë nga kampi dhe nuk do të kthehet më;

11 në mbrëmje do të lahet me ujë dhe pas perëndimit të diellit do të mund të kthehet në kamp.

12 Do të kesh edhe një vend jashtë kampit, dhe do të shkosh atje për nevojat e tua;

13 dhe midis veglave të tua do të kesh edhe një kunj dhe kur të shkosh për t’u mbledhur kruspull përjashta, me të do të gërmosh një gropë dhe pastaj do të mbulosh jashtëqitjet e tua.

14 Me qenë se Zoti, Perëndia yt, ecën në mes të kampit tënd që të të bëjë të lirë dhe që të të japë në dorë armiqtë e tu; prandaj kampi yt do të jetë i shenjtë që Zoti të mos shohë në gjirin tënd asnjë paturpësi dhe të largohet prej teje.

15 Nuk do t’i dorëzosh pronarit të tij skllavin që i ka ikur për t’u strehuar pranë teje.

16 Ai do të banojë me ty, në mes jush, në vendin që ka zgjedhur, në atë qytetin tënd që do t’i duket më i mirë; dhe nuk do ta ngacmosh.

17 Nuk do të ketë asnjë grua që të merret me kurvëri midis bijave të Izraelit, nuk do të ketë asnjë burrë që të merret me kurvëri midis bijve të Izraelit.

18 Në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, nuk do të çosh shpërblimin e një kurve as çmimin e një qeni, për asnjë kusht, sepse këto dy gjëra janë një ndyrësi për Zotin, Perëndinë tënd.

19 Vëllait tënd nuk do t’i japësh hua me kamatë: interes për të holla, interes për ushqime ose çfarëdo gjë tjetër që huazohet me interes.

20 Të huajit mund t’i japësh hua me kamatë, por jo vëllait tënd, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në të gjitha gjërat mbi të cilat do të vësh dorë në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

21 Kur lidh një kusht me Zotin, Perëndinë tënd, nuk do të vonosh ta kryesh, sepse i Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishe fajtor;

22 por në rast se ti nuk lidh kushte, nuk kryen mëkat.

23 Mbaje fjalën që ka dalë nga goja jote, sepse ke marrë përsipër në mënyrë të neveritshme përpara Zotit, Perëndisë tënd, atë që ke premtuar me gojën tënde.

24 Kur hyn në vreshtin e të afërmit tënd, mund të hash rrush sa të ngopesh, por nuk do vësh rrush në shportën tënde.

25 Kur hyn në arën e grurit të të afërmit tënd, mund të mbjellësh kallinj; por nuk do të përdorësh drapërin në arën e grurit të të afërmit tënd".

24 "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t’ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;

në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër,

në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes,

burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t’i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar.

Asnjeri nuk do të marrë peng gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme, sepse do të ishte njëlloj siur të merrte peng jetën e dikujt.

Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit, dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet; kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.

Në raste lebre trego kujdes të madh dhe bëj gjithçka t’ju mësojnë priftërinjtë levitë; do të keni kujdes të veproni ashtu siç i kam urdhëruar.

Mbaj mend atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Miriamit gjatë udhëtimit, mbas daljes suaj nga Egjipti.

10 Kur i jep hua diçka të afërmit tënd nuk do të hysh në shtëpinë e tij për të marrë pengun e tij;

11 do të rrish jashtë saj, dhe njeriu të cilit i ke dhënë hua do të ta sjellë jashtë pengun.

12 Dhe në rast se ai njeri është i varfër, nuk do të shkosh të flesh duke pasur akoma pengun e tij.

13 Duhet t’ia kthesh pengun në perëndim të diellit, në mënyrë që ai të flerë në mantelin e tij dhe të të bekojë; dhe kjo do të vihet në llogarinë e drejtësisë para syve të Zotit, Perëndisë tënd.

14 Nuk do t’i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai një nga vëllezërit e tu apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua;

15 do t’i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat.

16 Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.

17 Nuk do të cënosh të drejtën e të huajit o të jetimit dhe nuk do të marrësh peng rrobat e gruas së ve;

18 por do të kujtosh se ke qenë skllav në Egjipt dhe se të ka liruar Zoti, Perëndia yt; prandaj të veprosh në këtë mënyrë.

19 Kur korr në arën tënde dhe harron aty një demet, nuk do të kthehesh prapa për ta marrë; do të jetë për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në tërë veprën e duarve të tua.

20 Kur do të shkundësh kokrrat e ullinjve të tua, nuk do të kthehesh në degët e tyre; ullinjtë që kanë mbetur do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.

21 Kur të vjelësh vreshtin tënd, nuk do të kalosh një herë të dytë; vilet e mbetura do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.

22 Dhe do të kujtosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit; prandaj të urdhëroj të veprosh në këtë mënyrë".

14 Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.

Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli.”

Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.

Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?

Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve.” Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.

Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.

Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.

Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.

Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj.”

10 Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin.

11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?.”

13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.

14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".

15 Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne.”

16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.

17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.

18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë.”

19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t’i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?.” Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?.”

20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!.”

22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im.”

23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.

24 Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.

25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.

Read full chapter