Add parallel Print Page Options

14 "Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur;

sepse ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, dhe Zoti të ka zgjedhur për të qenë një popull i tij, një thesar i veçantë ndër të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut.

Nuk do të hash asgjë të neveritshme.

Këto janë kafshët që mund të hani: lopa, delja, dhia,

dreri, gazela, dhia e egër, stambeku, antilopa dhe kaprolli.

Mund të hani çdo kafshë që e ka thundrën të ndarë, dhe që përtypet midis kafshëve.

Por nga ato që vetëm përtypen dhe që kanë vetëm thundrën të ndarë nuk do të hani devenë, lepurin dhe baldosën, që përtypen por nuk e kanë thundrën të ndarë; për ju janë të papastra;

edhe derri, që e ka thundrën të ndarë por nuk përtypet, është i papastër për ju. Nuk do të hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të vdekur.

Ndër të gjitha kafshët që rrojnë në ujë, mund të hani të gjitha ato që kanë pendë dhe luspa;

10 por nuk do të hani asnjë nga ato që nuk kanë pendë dhe luspa; janë të papastra për ju.

11 Mund të hani çdo zog të pastër;

12 por nuk do të hani këto: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan e detit,

13 qiftin, fajkuan dhe çdo lloj zhgabe,

14 çdo lloj korbi,

15 strucin, kukuvajkën mjekroshe, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë,

16 bufin, ibisin, mjellmën,

17 pelikanin, martin peshkatarin, kormoranin,

18 lejlekun, çdo lloj gate, pupëzën dhe lakuriqin e natës.

19 Çdo insekt që fluturon është i papastër për ju; nuk do ta hani.

20 Por mund të hani çdo zog që është i pastër.

21 Nuk do të hani asnjë kafshë që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme; mund t’ua jepni të huajve që janë brenda portave tuaja që t’i hanë ose mund t’ua shisni një të huaji, sepse ti je një popull që i je shenjtëruar Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta gatuash kecin bashkë në qumështin e nënes së tij.

22 Do të zotohesh të japësh të dhjetën e asaj që mbjell dhe që të prodhon ara çdo vit.

23 Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt.

24 Por në rast se rruga është shumë e gjatë për ty dhe nuk mund t’i çosh deri atje të dhjetat, sepse vendi që Zoti, Perëndia yt, ka caktuar për të vendosur emrin e tij është shumë larg nga ty, kur Zoti, Perëndia yt, do të të ketë bekuar,

25 atëherë do t’i këmbesh ato me para dhe me paratë në dorë do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;

26 dhe do t’i përdorësh këto para për të blerë të gjitha ato që dëshiron zemra jote: lopë, dele, verë, pije dehëse, ose çfarëdo gjë që dëshiron zemra jote; dhe aty do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde.

27 Përveç kësaj nuk do të lesh pas dore Levitin, që banon brenda portave të tua, sepse ai nuk ka pjesë as trashëgimi me ty.

28 Në fund të çdo tre viteve, do të vësh mënjanë të gjitha të dhjetat e prodhimeve të tua të vitit të tretë, dhe do t’i vendosësh brenda portave të tua;

29 dhe Leviti, që nuk ka pjesë as trashëgimi me ty, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që gjenden brenda portave të tua, do të vinë, do të hanë dhe do të ngopen, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në çdo punë që do të të zërë dora".

15 "Në mbarim të çdo shtatë viteve do të bësh faljen e borxheve.

Dhe kjo do të jetë forma e faljes: Çdo huadhënës do të falë atë që i ka dhënë hua të afërmit të tij; nuk do të kërkojë kthimin e saj nga i afërmi dhe nga vëllai i tij, sepse është shpallur falja e borxheve nga Zoti.

Mund ta kërkosh borxhin nga i huaji; por do t’i falësh vëllait tënd atë që ai të ka marrë hua.

Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush, sepse Zoti do të të bekojë me të madhe në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep si trashgimi, që ti ta zotërosh,

por vetëm me kusht që ti t’i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha këta urdhërimet, që sot të cakton.

Sepse Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë siç të ka premtuar; atëherë do t’u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua; do të sundosh mbi shumë kombe, por ato nuk do të sundojnë mbi ty.

Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar;

por do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.

Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër," dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.

10 Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora.

11 Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".

12 Në rast se një vëlla apo një motër hebre shitet te ti, do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do ta lësh të ikë i lirë.

13 Dhe kur do ta lësh të ikë i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh;

14 do t’i japësh bujarisht dhurata nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjestar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur;

15 dhe nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar; prandaj sot të urdhëroj këtë.

16 Por në rast se ai të thotë: "Nuk dua të largohem prej teje," sepse të do ty dhe shtëpinë tënde, sepse ka mbarësi bashkë me ty,

17 atëherë do të marrësh një fëndyell, do t’i shposh veshin kundër portës dhe ai do të jetë skllavi yt për gjithnjë. Po ashtu do të veprosh me skllaven tënde.

18 Nuk duhet të të duket e vështirë ta nisësh të lirë, sepse të ka shërbyer gjashtë vjet me gjysmën e pagës së një argati; dhe Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua.

19 Do t’i shenjtërosh Zotit, Perëndisë tënd, tërë pjelljet e para meshkuj të bagëtive të tua të trasha dhe të imta. Nuk do të bësh asnjë punë me pjelljen e parë të lopës sate dhe nuk do të qethësh pjelljen e parë të deles sate.

20 Do t’i hash çdo vit, ti dhe familja jote, përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur.

21 Por në qoftë se kafsha ka ndonjë të metë, në rast se është e çalë, e verbër, apo ka ndonjë të metë tjetër të rëndë, nuk do t’ia flijosh Zotit, Perëndisë tënd;

22 do ta hash brenda portave të tua; të papastrin dhe të pastrin mund ta hanë njëlloj sikur të ishte një gazelë apo një dre.

23 Por nuk do të hash gjakun e tyre; do ta derdhësh në tokë si uji".

16 "Respekto muajin e Abibit dhe kremto Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin e Abibit Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti, gjatë natës.

Do t’i bësh fli, pra, Pashkën e Zotit, Perëndisë tënd, me bagëti të trasha dhe të imta, në vendin që Zoti ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

Dhe nuk do të hash bashkë me të bukë të mbrujtur; shtatë ditë do të hash bukë të ndorme (sepse dole me nxitim nga vendi i Egjiptit), me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.

Nuk do të shihet maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tua, për shtatë ditë me radhë; dhe nuk do të mbetet asgjë nga mishi që flijove mbrëmjen e ditës së parë për gjithë natën deri në mëngjes.

Nuk do të mund ta flijosh Pashkën në çfarëdo qyteti që Zoti, Perëndia yt, të jep,

por do ta flijosh Pashkën vetëm në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij; do ta flijosh në mbrëmje, në perëndim të diellit, në orën që dole nga Egjipti.

Do ta pjekësh viktimën dhe do ta hash në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur; dhe në mëngjes do të largohesh dhe do të kthehesh në çadrat e tua.

Gjashtë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të mbahet një asamble solemne për nder të Zotit, Perëndisë tënd; ti nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë.

Do të numërosh shtatë javë; fillo të numërosh shtatë javë nga koha që fillon të korrësh grurin;

10 pastaj do ta kremtosh festën e Javëve për nder të Zotit, Perëndisë tënd, duke bërë ofertat e tua vullnetare dhe kjo në masën që Zoti, Perëndia yt, të bekon.

11 Dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, Leviti që ndodhet brenda portave të tua, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen në mes teje, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

12 Do të kujtosh që ke qenë skllav në Egjipt dhe do të kujdesesh t’i zbatosh në praktikë këto statute.

13 Do të kremtosh festën e Kasolleve shtatë ditë me radhë, mbasi të kesh mbledhur prodhimin e lëmit dhe të fushës sate;

14 dhe do të gëzohesh në festën tënde, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe Leviti, i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen brenda portave të tua.

15 Do të kremtosh një festë për shtatë ditë me radhë për nder të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur, sepse Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha të korrat e tua dhe tërë punën e duarve të tua, dhe ti do të jesh shumë i kënaqur.

16 Tri herë në vit çdo mashkull i yt do t’i paraqitet Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, në festën e bukëve në festën të ndorme, në festën të Javëve dhe të Kasolleve; asnjeri prej tyre nuk do të paraqitet para Zotit duarbosh.

17 Por secili do të japë nga pjesa e tij simbas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

18 Do të caktosh gjykatës dhe zyrtarë brenda portave të tua për çdo fis tëndin, në të gjitha qytetet që Zoti, Perëndia yt, të jep; dhe ata do ta gjykojnë popullin me vendime të drejta.

19 Nuk do ta prishësh drejtësinë, nuk do të tregohesh i anshëm dhe nuk do të pranosh dhurata, sepse dhurata i verbon sytë e njerëzve të urtë dhe korrupton fjalët e njerëzve të drejtë.

20 Do të zbatosh plotësisht drejtësinë, në mënyrë që ti të jetosh dhe të zotërosh vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

21 Nuk do të ngresh për ty asnjë Asherah, me asnjë lloj druri pranë altarit që do t’i ndërtosh Zotit, Perëndisë tënd;

22 dhe nuk do të ngresh asnjë shtyllë të shenjtë, që Zoti, Perëndia yt, urren".