Add parallel Print Page Options

Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.

Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?

Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.

Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.

Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;

pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.

Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.

Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".

Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.

10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".

11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.

12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,

13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".

14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".

Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: ai formonte karkaleca kur fillonte të rritej bari i dytë; dhe ja, bari i dytë vinte mbas korrjes së mbretit.

Kur ato mbaruan së ngrëni barin e tokës, unë thashë: "Zot, Zot, oh, na fal, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".

Zoti u pendua për këtë: "Kjo nuk ka për të ndodhur," tha Zoti.

Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: Zoti, Zoti shpalli se do mbronte çështjen e tij me zjarr; dhe zjarri gllabëroi humnerën e madhe dhe gllabëroi një pjesë të vendit.

Atëherë unë i thashë: "Zoti, Zoti, oh, jepi fund, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".

Zoti u pendua për këtë: "As kjo nuk ka për të ndodhur," tha Zoti, Zoti.

Ja ç’më bëri të shoh: Zoti rrinte drejt mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe me një plumbçe në dorë.

Zoti më tha: "Amos, çfarë shikon?". Unë iu përgjigja: "Një plumbçe". Atëherë Zoti tha: "Ja, unë po vendos një plumbçe në mes të popullit tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.

Vendet e larta të Isakut do të prishen dhe shenjtëroret e Izraelit do të shkatërrohen; unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit".

10 Atëherë Amatsiahu, prifti i Bethelit, i çoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: "Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit; vendi nuk është në gjendje të durojë tërë fjalët e tij.

11 Në fakt Amosi ka thënë kështu: "Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij"".

12 Amatsiahu i tha Amosit: "Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh;

13 por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore".

14 Atëherë Amosi u përgjigj dhe i tha Amatsiahut: "Unë nuk isha profet as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti.

15 Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: "Shko, profetizoi popullit tim të Izraelit".

16 Prandaj tani dëgjo fjalën e Zotit: Ti po thua: "Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut".

17 Prandaj kështu flet Zoti: "Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij"".

Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: ishte një shportë me fruta vere.

Ai më tha: "Amos, çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Një shportë me fruta vere". Zoti më tha: "Erdhi fundi për popullin tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.

Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime," thotë Zoti, Zoti. "Do të ketë kudo shumë kufoma; do t’i hedhin jashtë në heshtje".

Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfërit e vendit,

dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar,

duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?".

Zoti është betuar për krenarinë e Jakobit: "Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre.

A nuk do të dridhet vallë vendi për këtë dhe nuk do të jenë në zi tërë banorët e tij? Do të ngrihet i tëri si Nili, do të trazohet dhe do të ulet si lumi i Egjiptit.

Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti, Zoti, "që unë do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë dhe do ta errësoj tokën ditën.

10 Do t’i shndërroj festat tuaja në zi dhe të gjitha këngët tuaja në vajtime; do të bëj që secili të vishet me thes dhe do ta bëj të shogët çdo kokë. Do ta bëj si një zi për një bir të vetëm dhe fundi i tij do të jetë një ditë trishtimi.

11 Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, Zoti, "gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.

12 Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës të Zotit, por nuk do ta gjejnë.

13 Atë ditë vajzat e bukura dhe djemtë e zgjedhur do të ligështohen nga etja.

14 Ata që betohen për mëkatin e Samarisë dhe thonë: "Ashtu si Perëndia yt rron, o Dan," dhe: "Si rron Beer-Sheba," do të rrëzohen dhe nuk do të çohen më".

Unë pashë Zotin që rrinte më këmbë pranë altarit dhe tha: "Goditi kapitelet, u shkundshin portat, dhe copëtoji mbi kokat e tyre. Unë do t’i vras pastaj ata që kanë mbetur me shpatë. Asnjë nga ata që ikin nuk do të mund t’ia dalë mbanë, dhe asnjë nga ata që ikin nuk do të mund të shpëtojë.

Edhe sikur të depërtojnë në Sheol, dora ime do t’i shkëpusë që andej; edhe sikur të ngjiten në qiell, unë do t’i tërheq poshtë që andej.

Edhe sikur të fshiheshin në majë të Karmelit, unë do t’i gjej dhe do t’i marr; edhe sikur t’i fshiheshin shikimit tim në fund të detit, atje do të urdhëroj gjarpërin t’i kafshojë;

edhe sikur të shkonin në robëri para armiqve të tyre, atje do të urdhëroj shpatën t’i vrasë. Unë do të ngul sytë e mi mbi ta për të keqen dhe jo për të mirën.

Zoti, Zoti i ushtrive, është ai që prek tokën dhe ajo shkrihet, dhe tërë banorët e saj mbajnë zi; ajo ngrihet e tëra si Nili dhe ulet si lumi i Egjiptit.

Éshtë ai që ndërton në qiejt dhomat e tij të sipërme dhe ka vënë mbi tokë themelet e kupës së tij qiellore; ai thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut; emri i tij është Zoti.

A nuk jeni për mua si bijtë e Etiopasve, o bij të Izraelit?," thotë Zoti. A nuk e nxora unë Izraelin nga vendi i Egjiptit, Filistejtë nga Kaftori dhee Sirët nga Kiri?

Ja sytë e Zotit, Zotit, janë mbi mbretërinë mëkatare; unë do ta shfaros nga faqja e dheut, por nuk do ta shfaros krejt shtëpinë e Jakobit," thotë Zoti.

"Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.

10 Tërë mëkatarët e popullit tim do të vdesin nga shpata, ata që thonë: Gjëma nuk do të afrohet as ka për të arritur deri te nee"".

11 "Atë ditë do të ngre përsëri tabernakullin e Davidit që ka rënë, do të ndreq të çarat e tij dhe do të ngre rrënojat e tij, dhe do ta rindërtoj si në ditët e lashta,

12 më qëllim që të zotërojnë kusurin e Edomit dhe tërë kombet ku i bëjnë thirrje emrit tim," thotë Zoti që do ta bëjë këtë.

13 "Ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "kur ai që lëron do t’i afrohet atij që korr dhe ai që shtrydh rrushin atij që hedh farën; atëherë malet do të kullojnë musht, që do të rrjedhë poshtë nëpër kodra.

14 Do ta kthej nga robëria popullin tim të Izraelit, dhe ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të pijnë verën e tyre, do të punojnë kopshtet dhe do të hanë frytet e tyre.

15 Unë do t’i mbjell në tokën e tyre dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre, thotë Zoti, Perëndia yt".