Add parallel Print Page Options

18 Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.

Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.

Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.

Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t’u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.

Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: “Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë.”

Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjtur me sinagogën.

Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.

Një natë Zoti i tha Palit në vegim: “Mos druaj, por fol dhe mos pusho,

10 sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet.”

11 Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.

12 Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, Judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,

13 duke thënë: “Ky ua mbush mendjen njerëzve t’i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin.”

14 Dhe kur Pali donte të hapte gojën, Galioni u tha Judenjve: “Po të qe puna për ndonjë padrejtësi ose keqbërje, o Judenj, do t’ju dëgjoja me durim, sipas arsyes;

15 por nëse janë çështje për fjalë, për emra dhe ligjin tuaj, shikojeni ju vetë, sepse unë nuk dua të jem gjykatës i këtyre gjërave.”

16 Dhe i përzuri ata nga gjykata.

17 Atëherë të gjithë Grekët zunë Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës. Por Galioni nuk donte t’ia dinte fare për këto gjëra.

18 Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn.

19 Dhe, kur arriti në Efes, i la aty, po vetë hyri në sinagogë dhe filloi të diskutojë me Judenjtë.

20 Ata iu lutën të rrinte me ta më gjatë, por ai nuk pranoi;

21 por u nda prej tyre duke thënë: “Më duhet gjithsesi ta kaloj festën e ardhshme në Jeruzalem, por, në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju.” Dhe u nis nga Efesi nëpër det.

22 Si zbarkoi në Cezari, u ngjit në Jeruzalem, dhe si u përshëndet me kishën, zbriti në Antioki.

23 Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.

24 Por një Jude, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.

25 Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26 Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.

27 Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.

28 Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.

19 Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

“A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?.” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.”

Dhe ai u tha atyre: “Me se, pra, u pagëzuat?.” Ata u përgjigjën: “Me pagëzimin e Gjonit.”

Atëherë Pali tha: “Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.

10 Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.

11 Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,

12 aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre.

13 Dhe disa yshtës shëtitës Judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: “Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!.”

14 Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude.

15 Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: “Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?.”

16 Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur.

17 Kjo u muar vesh nga të gjithë Judenjtë dhe Grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar.

18 Dhe shumë nga ata që kishin besuar vinin të rrëfeheshin dhe të tregonin gjërat që kishin bërë.

19 Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi.

20 Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej.

21 Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: “Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën.”

22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.

23 Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën,

24 sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim.

25 Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: “O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari.

26 Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.

27 Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon.”

28 Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”

29 Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër.

30 Dhe Pali donte t’i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin.

31 Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër.

32 Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.

33 Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit.

34 Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”

35 Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: “O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?

36 Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.

37 Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj.

38 Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin.

39 Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit.

40 Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim.”

41 Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.

20 Si pushoi trazira, Pali i thirri dishepujt pranë vetes, i përqafoi dhe u nis për të vajtur në Maqedoni.

Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla, shkoi në Greqi.

Dhe mbasi kaloi atje tre muaj, duke qenë se Judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij kur përgatitej të lundronte për në Siri, vendosi të kthehet nga ana e Maqedonisë.

Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia.

Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas.

Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë.

Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë.

Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba.

Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.

10 Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: “Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të.”

11 Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis.

12 Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.

13 Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë.

14 Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë.

15 Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet.

16 Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve.

17 Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës.

18 Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: “Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë,

19 duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m’u bënë nga tinëzitë e Judenjve;

20 dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi,

21 duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.

22 Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç’do të më ndodhë atje,

23 përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime.

24 Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.

25 Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time.

26 Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve;

27 sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë.

28 Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

29 Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,

30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.

31 Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.

32 Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.

33 Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.

34 Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.

35 Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!!".”

36 Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë.

37 Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin,

38 të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije.