Add parallel Print Page Options

Pastaj bëri një altar prej bronzi të gjatë njëzet kubitë, të gjerë njëzet kubitë dhe të lartë dhjetë kubitë.

Bëri gjithashtu një det prej metali të shkrirë, në formë rrethi, që nga një cep në cepin tjetër ishte dhjetë kubitë; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi i tij tridhjetë kubitë.

Poshtë buzës kishte figura të ngjashme me qetë, dhjetë për çdo kubit, që rrethonin detin nga çdo anë. Qetë, të vendosur në dy radhë, ishin derdhur bashkë me detin.

Ky mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, nga të cilët tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti ishte vendosur mbi ta dhe pjesët e tyre të pasme ishin kthyer nga ana e brendshme.

Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte bërë si buza e një kupe, si lulja e një zambaku; deti mund të përmbante deri tre mijë bate.

Bëri edhe dhjetë enë për pastrim dhe i vendosi pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë; në to laheshin gjërat që i përkisnin olokaustit; në det laheshin përkundrazi priftërinjtë.

Bëri dhjetë shandane prej ari, sipas normave të caktuara, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë.

Bëri dhjetë tryeza dhe i vendosi në tempull pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë. Bëri gjithashtu njëqind kupa prej ari.

Pastaj bëri oborrin e priftërinjve dhe oborrin e madh me portat e tij të veshura me bronz.

10 Pas kësaj e vendosi detin nga krahu i djathtë, në drejtim të juglindjes.

11 Hirami bëri gjithashtu enët, lopatëzat dhe legenët e vegjël. Kështu Hirami përfundoi punën që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Perëndisë;

12 dy shtyllat, dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëzat për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave,

13 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz me qëllim që të mbulohen dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave).

14 Bëri edhe qerrëzat dhe enët e mëdha mbi qerrëzat,

15 detin, një të vetëm, dhe dymbëdhjetë qetë nën detin,

16 si edhe enët, lopatëzat, pirunët dhe të gjitha sendet e tyre, që mjeshtri Hiram i bëri prej bronzi të shndritshëm për mbretin Salomon, për shtëpinë e Zotit.

17 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit, në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.

18 Salomoni i bëri këto vegla në një sasi kaq të madhe, sa që pesha e bronzit nuk u përcaktua dot.

19 Kështu Salomoni përgatiti të gjitha orenditë për shtëpinë e Perëndisë; altarin prej ari dhe tryezat mbi të cilat vendoseshin bukët e paraqitjes,

20 shandanët me llambat e tyre prej ari të kulluar që duhet të ndizeshin sipas normës së caktuar para shenjtërores;

21 lulet, llambat dhe veglat në formë gërshëre prej ari; ishin prej ari shumë të kulluar;

22 thikat, legenët, kupat dhe mangallët prej ari të kulluar. Sa për hyrjen e tempullit, portat e brendshme që të çonin në vendin shumë të shenjtë dhe portat që të futnin në anijatën e tempullit ishin prej ari.

Kështu u përfundua tërë puna që Salomoni kishte urdhëruar për shtëpinë e Zotit. Atëherë Salomoni solli tërë gjërat që i ati kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe të gjitha veglat, dhe i futi në thesaret e shtëpisë së Perëndisë.

Atëherë Salomoni mblodhi në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe të gjithë krerët e fiseve, princat e familjeve atërore të bijve të Izraelit, për ta çuar lart arkën e besëlidhjes të Zotit nga qyteti i Davidit, domethënë nga Sioni.

Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth mbretit për festën që binte në muajin e shtatë.

Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe Levitët morën arkën.

Ata e çuan lart arkën, çadrën e mbledhjes dhe të gjitha përdorëset e shenjta që ndodheshin në çadër. Këto gjëra i mbartën priftërinjtë dhe Levitët.

Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u grumbulluan rreth arkës dhe flijuan një sasi kaq të madhe dhensh dhe lopësh që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.

Priftërinjtë e çuan pastaj arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e vet, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

Në fakt kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.

Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre në arkë mund të shiheshin përballë vendit shumë të shenjtë, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri ditën e sotme.

10 Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave që Moisiu kishte vendosur në malin Horeb, kur Zoti lidhi një besëlidhje me bijtë e Izraelit, kur këta kishin dalë nga Egjipti.

11 Tani, ndërsa priftërinjtë dilnin nga vendi i shenjtë (tërë priftërinjtë e pranishëm në të vërtetë ishin shenjtëruar pa respektuar rendin e klasave,

12 dhe tërë Levitët këngëtarë, Asafi, Hemani, Jeduthuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me li të bardhë, me cembale, harpa dhe qeste në dorë rrinin më këmbë në lindje të altarit, dhe bashkë me ta njëqind e njëzet priftërinjtë që u binin borive)

13 dhe kur trumbetarët dhe këngëtarët si një njeri i vetëm bënë të dëgjohet bashkarisht zëri i tyre për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin dhe e ngritën zërin në tingullin e borive, të cembaleve dhe të veglave të tjera muzikore dhe lëvduan Zotin: "Sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi," ndodhi që shtëpia, shtëpia e Zotit, u mbush me një re,

14 dhe priftërinjtë nuk mundën të rrinin për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Perëndisë.

Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka shpallur se do të banojë në renë e dëndur.

Dhe unë kam ndërtuar për ty një shtëpi të madhërishme, në vendin ku do të banosh përjetë".

Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit qëndronte më këmbë.

Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka kryer me fuqinë e tij atë që i kishte premtuar me gojën e vet atit tim David, duke thënë:

"Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga vendi i Egjiptit, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të mbetej, dhe nuk kam zgjedhur njeri që të bëhet princ mbi popullin tim të Izraelit,

por kam zgjedhur Jeruzalemin, që emri im të mbetet aty, dhe kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".

Davidi, ati im, kishte në zemër të ndërtonte një tempull, në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit,

por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër;

por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim".

10 Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte shqiptuar, dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe ndërtova tempullin në emrin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.

11 Aty vendosa arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai ka bërë me bijtë e Izraelit"

12 Pastaj Salomoni zuri vend para altarit të Zotit, përballë asamblesë së Izraelit dhe shtriu duart

13 (Salomoni në fakt kishte ndërtuar një tribunë prej bronzi, të gjatë pesë kubitë, të gjerë pesë kubitë dhe të lartë tre kubitë, dhe e kishte vendosur në mes të oborrit; ai hipi në të, u gjunjëzua para tërë asamblesë së Izraelit, zgjati duart në drejtim të qiellit),

14 dhe tha: "O Zot, o Perëndi i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as në qiell, as në tokë. Ti i përmbahesh besëlidhjes dhe mëshirës ndaj shërbëtorëve të tu që ecin përpara teje me gjithë zemër.

15 Ti me shërbëtorin tënd David, atin tim, e mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

16 Prandaj tani o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje me shërbëtorin tënd David, atin tim, atë që i ke premtuar duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjë nga ata që ulen në fronin e Izraelit, me kusht që bijtë e tu të kujdesen për sjelljen e tyre dhe të ecin sipas ligjit tim ashtu si ke ecur ti përpara meje".

17 Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, u bëftë fjala që i ke thënë shërbëtorit tënd David!

18 Por a është në fakt e vërtetë që Perëndia banon me njerëzit në tokë? Ja, qiejtë dhe qiejtë e qiejve nuk mund të të nxënë, aq më pak ky tempull që unë kam ndërtuar!

19 Megjithatë, o Zot, Perëndia im, kushtoji vëmendje lutjes së shërbëtorit tënd dhe kërkesës së tij, duke dëgjuar britmën dhe lutjen që shërbëtori yt të drejton ty.

20 Sytë e tu janë drejtuar ditë e natë ndaj këtij tempulli, në drejtim të vendit që ke thënë: "Atje do të jetë emri im," për të dëgjuar lutjet që shërbëtori yt do të bëjë duke u kthyer në drejtim të këtij vendi.

21 Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të luten të kthyer nga ky vend. Dëgjo nga vendi i banesës sate, nga qiejtë; dëgjo dhe fali.

22 Në qoftë se ndokush kryen një mëkat kundër të afërmit të tij dhe, i detyruar të betohet, vjen të betohet përpara altarit tënd në këtë tempull,

23 ti dëgjo nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij, dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë hak.

24 Kur populli yt i Izraelit do të mundet nga armiku sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lëvdon emrin tënd, në rast se të lutet dhe të stërlutet në këtë tempull,

25 dëgjo nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe bëje të kthehet në vendin që i ke dhënë atij dhe etërve të tij.

26 Kur qielli do të jetë i mbyllur dhe nuk do të ketë shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se ata luten të drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke përulur,

27 ti dëgjo nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, të Izraelit, duke u mësuar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

28 Kur në vend do të ketë zi buke apo murtajë, ndryshk ose blozë, dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku do t’i rrethojë në vendin e tyre, o në qytetet e tyre, kur do të pëlcasë një fatkeqësi ose një epidemi çfarëdo,

29 çdo lutje, çdo kërkesë për falje që do të të drejtohet nga çfarëdo individ apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili ka pranuar plagën e tij dhe dhimbjen e tij dhe ka zgjatur duart e tij ndaj këtij tempulli,

30 ti dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, dhe fali; dhe jepi secilit sipas sjelljes së vet, ti që njeh zemrën e secilit (vetëm ti në të vërtetë njeh zemrën e bijve të njerëzve),

31 me qëllim që ata të të kenë frikë dhe të ecin në rrugët e tua për gjithë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.

32 Kur i huaji, që nuk i përket popullit të Izraelit, do të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd të madh, të dorës sate të fuqishme dhe të krahut tënd të shtrirë, kur do të vijë të të lutet duke u kthyer nga ky tempull,

33 ti dëgjo nga qielli, nga vendi i banesës sate, dhe jepi të huajit ato që të kërkon, me qëllim që tërë popujt e tokës të njohin emrin tënd dhe të kenë frikë nga ti, ashtu si bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.

34 Kur populli yt do të hyjë në luftë kundër armiqve të tij duke ndjekur rrugën nëpër të cilën e dërgove, në rast se të luten duke u drejtuar ndaj këtij qyteti që ti ke zgjedhur dhe ndaj tempullit që unë kam ndërtuar në emrin tënd,

35 dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën për falje dhe përkrah çështjen e tyre.

36 Kur do të kryejnë mëkate kundër teje (sepse nuk ka njeri që të mos kryejë mëkate) dhe ti, i zemëruar kundër tyre, do t’i braktisësh në dorë të armiqve që do t’i internojnë në një vend të largët ose të afërt,

37 në qoftë se në vendin ku janë internuar vijnë në vete, kthehen ndaj teje dhe të luten fort në vendin e robërisë së tyre, duke thënë: "Kemi kryer mëkate, kemi vepruar padrejtësisht, kemi bërë të keqen,"

38 në rast se kthehen me gjithë zemër dhe me tërë shpirt në vendin e robërisë së tyre ku janë shpërngulur dhe të luten duke u drejtuar ndaj vendit të tyre, ndaj qytetit që ti ke zgjedhur dhe tempullit që kam ndërtuar në emrin tënd,

39 dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, lutjen dhe stërlutjen e tyre, përkrah çështjen e tyre dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje!

40 Tani, o Perëndia im, mbaj sytë hapur dhe dëgjo me vëmendje lutjen që bëhet në këtë vend!

41 Tani, pra, çohu, o Zot Perëndi, dhe eja në vendin e shlodhjes sate, ti dhe arka e forcës sate. Qofshin priftërinjtë e tu, o Zot Perëndi, të veshur me shpëtimin dhe u ngazëllofshin në mirësi shenjtorët e tu.

42 O Zot Perëndi, mos e kthe fytyrën e të vajosurit tënd; mbaj mend favoret që i ke bërë Davidit, shërbëtorit tënd!".

24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas.”

25 Jezusi u përgjigj atyre: “Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.

29 Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

32 Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?.”

33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.”

34 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?

35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?

37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë.”

39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.

40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.

41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë.”

42 Dhe atje shumë veta besuan në të.

Read full chapter