Add parallel Print Page Options

32 Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, nis një vajtim për Faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe i thuaj: Ti i ngjason një luani të vogël midis kombeve; ishe si një dragua në dete dhe hidheshe në lumenjtë e tu, duke i trazuar ujrat me këmbët e tua dhe duke i turbulluar lumenjtë".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shtrij mbi ty rrjetën time me një kuvend të shumë popujve që do të ngrenë lart me rrjetën time.

Pastaj do të braktis mbi tokë dhe do të të hedh në fushë të hapur, do të bëj që të ulen mbi ty të gjitha shpendët e qiellit dhe do t’i ngop me ty kafshët e gjithë dheut.

Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t’i mbush luginat me togun e skeletit tënd.

Do t’i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty.

Kur të të shuaj, do t’i mbuloj qiejt dhe do t’i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj.

Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd," thotë Zoti, Zoti.

"Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh.

10 Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t’i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate".

11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty.

12 Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen.

13 Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujrave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t’i turbullojë.

14 Atëherë do t’i lë të qetësohen ujrat e tyre dhe do të bëj që lumenjtë e tyre të rrjedhin si vaj," thotë Zoti, Zoti.

15 "Kur do ta kem bërë të shkretë vendin e Egjiptit dhe vendi të jetë zhveshur nga çdo gjë që kishte, kur do të kem goditur gjithë banorët e tij, atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti.

16 Ky është një vajtim që do të ngrenë për të, do ta ngrenë për bijat e kombeve; do ta ngrenë për Egjiptin dhe gjithë turmat e tij," thotë Zoti, Zoti.

Read full chapter