Add parallel Print Page Options

21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,

duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!

Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”

Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:

“I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”

Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.

Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.

Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.

Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”

10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”

11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.

12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.

13 Dhe u tha atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje," por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.”

14 Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.

15 Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: “Hosana Birit të Davidit!,” u zemëruan,

16 dhe i thanë: “A po dëgjon ti çfarë thonë këta?.” Jezusi u tha atyre: “Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?.”

17 Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.

18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.

19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: “Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!.” Dhe fiku u tha menjëherë.

20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: “Qysh u tha fiku në çast?.”

21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det," kjo do të ndodhë.

22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni.”

23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”

24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.

25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??".

26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”

27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra".

28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";

29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.

30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.

31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.

32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”

33 “Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.

34 Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,

35 por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.

36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.

37 Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".

38 Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".

39 Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.

40 Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?.”

41 Ata i thanë: “Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.”

42 Jezusi u tha atyre: “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?

43 Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.

44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar.”

45 Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.

46 Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.