Add parallel Print Page Options

10 Kështu Davidi bekoi Zotin përpara tërë asamblesë dhe tha: "I bekuar je ti, o Zot, Perëndi i Izraelit, ati ynë, për gjithë amshimin.

11 Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka.

12 Nga ti vijnë pasuria dhe lavdia; ti sundon mbi gjithçka; në dorën tënde janë forca dhe fuqia, dhe ti ke fuqinë për të bërë të madh dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve.

13 Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe kremtojmë emrin tënd të lavdishëm.

14 Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.

15 Sepse ne jemi të huaj dhe shtegtarë përpara teje ashtu si qenë etërit tanë. Ditët tona mbi tokë janë si një hije dhe nuk ka shpresë.

16 O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja.

17 Unë e di, o Perëndia im, që ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane.

18 O Zot, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i etërve tanë, ruaj gjithnjë këto prirje dhe mendime në zemrën e popullit tënd dhe drejto zemrat e tyre nga ti;

Read full chapter